PD, Basha: Krerët e policisë së Korçës e Gjirokastrës, të inkriminuar

04/11/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi dy drejtorë policie, atë të Korçës dhe të Gjirokastrës, se janë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Sipas zotit Basha, dy shefat e policisë janë të dokumentuar nga shërbimet partnere, njësoj si ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, për të cilin tha pak ditë më parë se është kapur në komunikim me bandën e Durrësit, duke u justifikuar se operacionin antidrogë nuk e kishin prej tij.

Kreu i opozitës, Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama, se po ndërton një shtet oligarkik kriminal.

“A do jetë krenar Edi Rama sot për ministrin e tij, pas fakteve të reja që publikojmë sot, të dokumentuara po kështu nga parnerët, për faktin se dy drejtorët e tij të Policisë në Korçë dhe në Gjirokastër janë të implikuar drejtpërdrejt në trafikun e drogës. Arianit  Arapi dhe Ajet Zyberi janë dokumentuar përsëri nga parnerët, si shërbëtorë të krerëve të trafikut të drogës, si njerëz në dispozicion të biznesmenëve të hashashit, miq për kokë të Edi Ramës. Era shtet është kjo?! Kjo është era e rënies së shtetit në duart e mafies. Kjo është era e përzierjes së kryeministrit dhe qeverisë së tij me krimin. Era shtet është të kesh hektarë të mbjellë me drogë në gjithë vendin, që ruhen me njerëz të armatosur, që kanë imunitet nga banditët e veshur me uniformë, që ruhen nga ministri i Brendshëm, që justifikohet se nuk e kanë të atij kur e kapin shërbimet partnere?! Ky nuk është shtet. Është një regjim kriminal oligarkik. Është kundërmim i ndotjes, që ka shkaktuar shkrirja e qeverisë së Edi Ramës me bandat, ndotja e një oligarkie të përlyer me krim. Një regjimi, që me këto përmësa ka qelbur Shqipërinë, e që bashkë me qytetarët kemi detyrën dhe të drejtën ta largojmë një orë e më parë”, tha kreu i opozitës Basha.

Top Channel