Veliaj: Jo më shkolla me dy turne

04/11/2015 14:20

Tirana nuk do të ketë më shkolla me dy turne. Ky është premtimi i kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë përurimit të çerdhes numër 60 në Shkozë.

“Ambicia jonë për të ndërprerë historinë e shkollave me dy turne do të mbarojë vitin tjetër. Jam shumë shpresëplotë që me nismën që kemi për të ndërtuar shkolla, në bashkëpunim publik-privat, ne do të zgjidhim brenda këtij mandati çështjen e shkollave me dy turne. Këtë do ta fillojmë nga viti tjetër, për t’i dhënë drejtim shpejt e për të mos e lënë në ditët e fundit”, u shpreh Veliaj.

Në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin e ardhshëm do të parashikohet ndërtimi i godinave të reja, ndaj është shumë e rëndësishme që të mblidhen rregullisht taksat dhe detyrimet: “Çdo sasi uji që vidhet është një pagesë e munguar me të cilën mund të bëjmë më shumë shkolla, kopshte e çerdhe dhe besoj se viti i ardhshëm do të jetë viti i shkollave, ku ne do të kemi investimet më të mëdha në këto 25 vitet e fundit”.

Veliaj tha se bashkia do të vijojë me investimet në rrugë dhe në infrastrukturë.

Top Channel