Informaliteti në tregun e punës, DhAT i drejton 12 pyetje inspektoriatit

04/11/2015 00:00

Biznesi i integruar pranë Dhomës Amerikane të Tregtisë i ka drejtuar 12 pyetje Inspektoriatit të Punës mbi regjistrimin e punonjësve, kontratat e punës, lejet e zakonshme, raportet mjekoligjore apo detyrimin për të punësuar persona me aftësi të kufizuara.

Biznesi ngriti shqetësimin e penalizimit nga inspektorët, edhe në rastet kur personat e gjetur në kompani janë vizitorë apo praktikantë.

“Të gjithë duhet të jenë të siguruar, ndërsa praktikantët duhet të jenë qartazi të dukshëm dhe të identifikueshëm si të tillë. Konsiderohet si praktikant dhe jo si punonjës i padeklaruar, nëse i pari ka një marrëveshje subjekti me burimin se nga vjen ky ai”, tha Irida Qosja, nga Inspektoriati i Punës.

Një tjetër çështje e diskutuar në forum ishte punësimi i personave me aftësi të kufizuara.

“Ne kërkojmë një integrim të këtyre personave, të vendosen në marrëdhënie pune sa të jetë e mundur, me një mirëkuptim nga të gjithë, sepse është një detyrim moral mbi të gjitha dhe sigurisht që është edhe një mundësi e juaja. Ne pa ju nuk e realizojmë dot këtë”, tha Dritan Ylli, kryeinspektor i Inspektoriatit të Punës.

“Ju e keni caktuar që çdo 25 persona të integrohet një person i tillë. Ndoshta në një numër pak më të kufizuar…?”, pyeti një pjesëmarrëse.

“Në rast se kjo nuk është e mundur objektivisht, mund të kryeni pagesë, është edhe kjo alternativë”, tha një tjetër përfaqësues i Inspektoriatit të Punës.

Kreu i Inspektoriatit të Punës tha se, për të shmangur abuzimet, shumë shpejt do të nisë aplikimi i inspektimit online.

Top Channel