Eksperti i Venecias: Shqetësim, korrupsioni në drejtësi

04/11/2015 00:00

James Hamilton, ish-prokuror i përgjithshëm i Irlandës për 11 vjet, ishte njëri prej 4 raportuesve të Komisionit të Venecias të cilët u takuan në Tiranë me aktorët e përfshirë në reformën në drejtësi.

Pak përpara largimit nga Tirana, në një intervistë për Top-Channel fillimisht ai iu përgjigj pyetjes se, kush ishin konkluzionet nga takimet e zhvilluara në Tiranë?

James Hamilton: Unë mendoj se ka një pranim të përgjithshem të faktit se ekziston një problem serioz i korrupsionit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, prandaj mendoj se ky është edhe konkluzioni i parë që do të nxirrja. Gjithësesi, jo absolutisht të gjithë janë dakord me këtë konstatim, por njerëzit në përgjithësi e mendojnë këtë. Tashmë ne kemi një projektligj shumë ambicioz që e trajton këtë problem dhe unë nuk do të provoj ta vlerësoj atë këtu në një intervistë, sepse detyra jonë është ta marrim atë me vete, ta studjojmë, të reflektojmë me shumë kujdes mbi çdo gjë që kemi dëgjuar, të përgatisim raportet dhe t’i paraqesim ato në Komisionin e Venecias, i cili do të miratojë raportin përfundimtar.

A mendoni se do të ishte shumë më e lehtë për ju të merrni në konsideratë vetëm një propozim nga komisioni ad-hoc, sesa të kishit dy propozime të tjera, një nga opozita dhe një nga partia e kryeparlamentarit Meta?

James Hamilton: Unë nuk dua të komentoj mbi procesin që zhvillohet, sepse puna jonë është vlerësimi i teksteve. Për nga mënyra sesi Komisioni i Venecias funksionon, puna e tij është vlerësimi i propozimeve që i dërgohen nga qeveritë ose nga agjencitë qeveritare, apo nga organet e KiE. Pra, ajo  çfarë ne bëjmë është vlerësimi i propozimit që do të dërgohet në Parlament. Dhe natyrisht, ne shohim çdo ide tjetër që është pjesë e procesit, por gjithësesi puna jonë është të vlerësojmë propozimin që faktikisht paraqitet në Parlament.

A mund të shpjegoni se ku do të konsistojë procesi që nga vizita juaj në Tiranë deri në dhënien e opinionit përfundimtar?

James Hamilton: Unë mendoj se procesi do të përfshijë të lexuarit e shumë teksteve, apo të menduarit në lidhje me komplikacionet e ndryshme të përfshira në këtë proces. Unë thashë edhe më lart se ky ishte një projekt shumë ambicioz që nuk ka të bëjë vetëm me ndryshimet e rëndësishme në Kushtetutë, për të krijuar një proces. E gjithë kjo është bërë në kuadrin e një reforme të madhe të drejtësisë penale që përfshin një numër të madh projektligjesh organike. Kështu që ne duhet ta shohim në këtë kontekst, si pjesë të një pakete të vërtetë e mjaft të ndërlikuar ligjore. Vlerësimi nuk do të jetë një detyrë e lehtë. Detyra jonë është analizimi i reformes, nëse ajo është në përputhje me normat dhe standardet evropiane, duke marrë parasysh edhe kushtet aktuale të Shqipërisë. Por në fund, natyrisht, është vetëm populli shqiptar, përmes institucioneve të veta demokratike, ai që mund të marrë vendime për atë çka është më e mira për Shqipërinë. Ne nuk e bëjmë këtë.

Nëse flasim në terma kohorë, kur mendoni se Komisioni Venecias do ta ketë gati opinionin përfundimtar?

James Hamilton: Nuk do të doja të bëja një parashikim për këtë në fakt. Unë jam vetëm një nga raportuesit në proces. Unë mund të shkruaj raportin tim dhe më pas gjërat do të bëhen sa më shpejt të jetë e mundur. Këtë mund t’jua premtoj.

Nga burimet tona të informacionit kemi të dhëna që të bëjnë të besohet se ju nuk keni rënë dakord me formulën e propozuar për përbërjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. A është kjo e vërtetë?

James Hamilton: Ne nuk kemi marrë ndonjë vendim në këtë pikë, kështu që ju nuk mund të thoni se ne nuk pajtohemi me këtë apo atë gjë. Janë katër raportues që do të hartojnë raportet e tyre individuale dhe pastaj sekretarët e Komisionit të Venecias do të punojnë me to. Do të përpiqemi të arrijmë një marrëveshje, nëse nuk arrijmë të biem dakord me njëri-tjetrin. Dhe në disa raste kjo mund të mos ndodhë. Sidoqoftë, ne do të dalim me një opinion të vetëm dhe në fund do të ketë një opinion të vetëm të Komisioni Venecias.

Në Tiranë, politikanët dhe komuniteti ndërkombëtar po këmbëngulin për nevojën e gjithëpërfshirjes dhe konsensusit. Sipas mendimit tuaj, cilat janë mekanizmat për ta garantuar këtë në reformën në drejtësi?

James Hamilton: Përsëri mendoj se po kërkoni të komentoj mbi procesin, por kjo nuk është detyra jonë. Ajo çfarë ne bëjmë është të komentojmë mbi tekstet ligjore dhe t’i vlerësojmë ato në mënyrë sa më objektive. Për procesin në të vërtetë duhet të vendosin shoqëria shqiptare dhe politikanët e saj, si edhe të gjithë aktorët e tjerë. Nuk më takon mua të vendos apo të komentoj.

A mendoni se do të jetë një detyrë e vështirë puna në këtë proces?

James Hamilton: Po, mjaft e vështirë. Kjo, për shkak të natyrës dhe gamës së gjerë të reformës, si edhe për faktin se për disa elemente nuk ka precedent të mëparshëm. Ka shumë pak precedentë. Ka pasur gjithësesi një numër vendesh të tjera që kanë tentuar një vlerësim të gjithanshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim goditjen e korrupsionit brenda sistemit. Unë mund të përmend për shembull, Ukrainën, që është duke kaluar një proces të tillë dhe që u këshillua nga Komisioni i Venecias. Ka dhe vende të tjera që kanë tentuar një proces të tillë, jo me shumë sukses. Pra është një proces tejet i vështirë, kjo është ajo që mund të them.

Nga përvoja juaj si Prokuror i Përgjithshëm me 11 vjet eksperiencë në Irlandë, si mendoni, cila është rruga për të ngritur një sistem drejtësie të pakorruptuar në Shqipëri?

James Hamilton: Unë mendoj se korrupsioni është shumë i vështirë për t’u zhdukur nëse zë rrënjë brenda sistemit. Në Irlandë ne kemi një traditë të konsoliduar në këtë pikë, pothuajse nuk ka pasur kurrë korrupsion mes gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo gjë ndodh shumë shumë rrallë. Dhe kur ju të keni formuar një traditë të tillë, atëherë do të jetë shumë më e lehtë për ta mbajtur atë. Këtu, unë mendoj se duhet t’i jepni pavarësinë maksimale sistemit gjyqësor, ta depolitizoni atë sa më shumë që të jetë e mundur, të vendosni paga të arsyeshme për gjyqtarët dhe prokurorët, gjë që është shumë e rëndësishme. Gjithësesi edhe pas gjithë këtyre masave do të ketë ende njerëz të korruptuar, prandaj ajo që ju duhet është të keni sisteme efikase policimi të asaj çfarë ndodh, të keni një sistem efikas të hetimit të pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të çdo personi tjetër të dyshuar për korrupsion, si dhe në përgjithësi të siguroni që çdo ankesë të shqyrtohet në detaj, për ta bërë të qartë se do të ketë pasoja për çdo person të korruptuar dhe se ata nuk do të tolerohen brenda sistemit.

Nëse çdo gjë do të shkojë në rregull me reformën në drejtësi, a mendoni se një ditë Shqipëria do të shpëtojë nga korrupsioni në sistemin e drejtësisë?

James Hamilton: Unë mendoj se Shqipëria mund të ketë një të ardhme shumë të ndritur në qoftë se arrin t’i shpëtoje këtij problemi, që pengon zhvillimin e vendit. Mendoj se të gjithë pajtohen me këtë. Ky është një vend i cili ka të drejtën për t’u zhvilluar dhe për të qenë i fortë ekonomikisht, por për fat të keq korrupsioni po i flak paratë jashtë sistemit, duke penguar ardhjen e investitorëve, sepse ata nuk kanë besim në sistemin e drejtësisë. Pra, është absolutisht jetike për çdo qytetar të Shqipërisë që reforma në drejtësi të ketë sukses dhe korrupsioni të çrrënjoset. Kjo është arsyeja pse Komisioni i Venecias e konsideron këtë si një detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe unë shpresoj se ne do të jemi në gjendje të ndihmojmë sistemin dhe Shqipërinë për t’u marrë me këtë problem.

Dhe pyetja ime e fundit, a mendoni se reforma në drejtësi është ilaçi i duhur për të shëruar sistemin e drejtësisë nga korrupsioni?

James Hamilton: Unë nuk kam asnjë dyshim për faktin që juve ju duhet një reformë në drejtësi, por detyra jonë më shumë sesa të themi se cila është rruga e duhur për këtë, është pikërisht të kthehemi dhe të punojmë e të kujdesemi për raportin që do të paraqesim. Unë nuk do të doja të jepja gjykime paraprake.

Top Channel