Lushnje, kreu i PD: 169 mësues me urdhër të deputetëve

04/11/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike të Lushnjes, Myslym Murrizi, në një konferencë për shtyp akuzoi disa deputetë të majtë se, kanë urdhëruar punësimin e dhjetëra mësuesve.

Ai ka shpjeguar se, në 5 muaj punë prej dhjetorit 2013 deri në maj të vitit 2014, ish-drejtoresha e Arsimit në Lushnje, Liza Tabaku punësoi 169 mësues falë ndërhyrjes së deputetëve dhe ish-kryetarëve të komunave të majta në Lushnje.

Murrizi ka kërkuar hetim për këtë akuzë që bëri.

“Petrit Vasili 38 mësues; Bujar Çela 29 mësues; Arben Çuko 26 mësues; Erion Braçe 17 mësues; Fatos Tushe 11 mësues; Afrim Dedej (ish-kryetar i Komunës së Dushkut nga PS) 9 mësues; Teuta Korreshi 4 mësues; Nora Malaj (zv.ministre e Arsimit) 3 mësues; dhe nga 1-2 ose 3 mësues Taulant Balla, Vasilika Hysi, Agim Shema, Albert Sanxhaku, Avdis Nalla, Beqir Sulovari. Ndërsa vetë Liza Tabaku rezulton se ka futur në punë vetëm 3 mësues. Duke qenë se përflitet se merren nga 3-5 mijë euro për mësues, siç u publikua, atëherë bëjeni vetë llogarinë e këtyre kumbarëve sesa kanë përfituar”, u shpreh Myslym Murrizi, kryetar i PD-së, Lushnje.

Ish-drejtoresha e Arsimit në Lushnje, Liza Tabaku u arrestua dhe u dënua me 9 vite burg, për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit pasiv”. Me të njëjtat akuza u dënua me 3 vite burgim edhe djali i saj.

Top Channel