Vlorë, kundërshtohet projekti për vaskat gjigante të peshkut

04/11/2015 16:40

Banorë të Orikumit dhe operatorët e vegjël të rritjes së peshkut në gjirin e Vlorës, protestojnë ndaj një projekti që synon ndërtimin e impianteve gjigante në këtë gji.

Sipas tyre, një kompani turke planifikon të ndërtojë pesë ferma ujore me vaska të mëdha për rritjen e peshkut artificialisht në gjirin e Vlorës, duke rrezikuar ndotjen masive të ujrave nga përdorimi i kimikateve dhe ushqimeve artificiale, si dhe shkatërrimin e faunës në gjirin e Vlorës.

Për këte arsye projektit nuk i është dhënë leja mjedisore nga Agjencia Rajonale e Mjedisit. Banorët dhe punonjësit e fermave të vogla ujore tregojnë se çfarë shkakton në gjirin e Vlorës një shfrytezim masiv.

“Gjiri i Vlorës duke qenë i mbyllur, uji këtu ndërrohet një herë në 90 vite. Ata zotërinjtë duhet të dinë se nëse prodhojnë kaq shumë në këtë zonë këtu nuk do të ketë as turizëm e asgjë”, shprehet një nga punonjësit e fermave të vogla.

“Ata kanë në planin e tyre edhe investimet në breg, gjë që dukatasit që janë pronarë të kësaj sipërfaqeje asnjëherë nuk e gëzuan këtë”, thotë një banor i zonës.

“Të gjitha mbëturinat e plazhit do të përfundojnë atje dhe të gjithë do të largohen. Ky është i vetmi vend që ne e kemi të pastër”, shpreht një tjetër banor i zonës.

Dhjetëra familje të zonës prej dekadash jetojnë me akuakulturën e rritjes së peshkut, por edhe me peshkim dhe ata thonë se përveç dëmit të madh ekologjik, një projekt i tillë do të godiste ekonomitë e shumë familjeve.

“Ne jemi automatikisht të falimentuar. I bëj thirrje institucioneve përkatëse që të mos luajnë me të ardhmen e familjeve tona. Ministri Panariti u takua me banorët e zonës dhe premtoi se do ta anuloi këtë projekt, por më vonë ne jemi njoftuar se ata e kanë marrë miratimin”, shprehet një tjetër banor.

Sipas operatorëve të vegjël të akuakulturës, përveç ekonomisë dhe ekologjisë dëmin më të madh në zonë do e pësojë turizmin. Ata kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë të marrë parasysh shqetësimin e tyre, ndërsa nga Ministria e Mjedisit të mos jepet leje mjedisore.

Top Channel