Lumturia “banon” në Danimarkë…

04/11/2015 00:00

Lumturia është diçka e brendshme, që shpesh buron nga rrethanat a situatat që ne krijojmë përreth vetes.

Të qenurit i qeshur, e i kënaqur me gjërat që kemi në jetë është një nga formulat për të qenë të gëzuar. Ka shumë njerëz që udhëhiqen nga ndjesitë pozitive e investojnë shumë në jetën emocionale në raportet me njerëzit.

Në anketimin e këtij viti  për ditën ndërkombëtare të lumturisë nga 143 vende të botës, 70% e të intervistuave pohuan se ata përjetonin momente të gëzueshme në jetën e tyre herë pas here.

Por a janë të lumtur shqiptarët?

Nga ky sondazh, shqiptarët janë të 102-ët me 63 pikë, pesë pikë më shumë të lumtur se shqiptarët e Kosovës me 58. Listën e kryeson Paraguaji me 89 pikë, i ndjekur me pikë të barabarta, 84 nga Kolumbia dhe Ekuadori. Ndërsa Danimarka është shquar për vite me radhë si një nga vendet me popullsi më të lumtur.

Danezët kanë një filozofi të tyre të të jetuarit, dhe madje jo rrallë herë shërbejnë edhe si shembuj për popujt e tjerë. Ata vleresojnë shumë gjendjen e tyre emocionale, nuk bëjnë rolin e viktimës duke dramatizuar situatat, janë shumë të hapur në marrëdhënie me të tjerët, e shohin veten si pjesë e një ekipi të madh duke ndihmuar e kontribuar në përmirësimin e jetës së shokëve ose miqve të tyre, si dhe çka është më e rëndësishmja, ata  e dinë fare mirë që koha është e kufizuar.

Top Channel