Lufta kundër krimit, Tahiri: S’e kuptoj shqetësimin e Bashës

04/11/2015 18:55

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të PD, Basha, që e cilësonte atë një narko-ministër.

“Nga njëra anë, unë e kuptoj që lufta kundër drogës në këto dy vjet ka shqetësuar shumë njerëz. Ka shqetësuar më së paku botën e krimit. Dhe më vjen çudi si ka shqetësuar edhe opozitën! Dhe me këtë nuk dua të them që janë të lidhura me njëra-tjetrën, por rastësia dashka që kundër policisë të bëhen bashkë bota e krimit dhe opozita”, ka deklaruar Tahiri.

Duke kujtuar se, Basha ka qenë ministër i Brendshëm, Tahiri ka theksuar se, në dy vjet ai shkatërroi gjithësej 58 mijë rrënjë kanabis.

“Unë mbusha dy vjet ministër i Brendshëm dhe kemi shkatërruar mbi 1.3 milionë rrënjë kanabis. Tani më thoni ju, sa e vështirë është të kuptosh cili nga ne të dy mund të ketë pasur mundësi dhe mund të ketë më shumë mundësi të qenë i lidhur me botën e krimit, për të favorizuar kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike”, është shprehur Tahiri.

“Kur Luli dhe Muli ishin ministra, Lazarati ishte simbol i republikës së drogës, që rritej mu nën hundën e qeverisë. Ndërkohë që sot është kthyer në një fshat njësoj si gjithë të tjerët”, ka vijuar ai.

Në këtë luftë ai ka kërkuar mbështetjen e çdo qytetari dhe pa asnjë dyshim edhe atë të opozitës.

“Por nuk arrij të kuptoj se si në dy vjet, Luli, Muli dhe opozita në tërësi gjendet gjithmonë në anën e krimit, duke sulmuar policinë njëlloj siç bën bota e krimit”, ka shtuar Tahiri.

Top Channel