“Forbes”: Putin, njeriu më i pushtetshëm në botë

04/11/2015 00:00

Revista “Forbes” ka shpallur për herë të tretë Vladimir Putinin si personin më të fuqishëm të botës.

Në këtë klimë lindje-perëndim, presidenti rus ndiqet nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe në vend të tretë renditet Barack Obama. Por kjo është hera e parë që një president i Shteteve të Bashkuara nuk është në 2 vendet e para.

Randall Lane, redaktori i “Forbes”, tha për “The Independent” se lista ilustron një ndryshim në strukturën e pushtetit global.  Sipas Lane, gjatë dekadës së fundit, është e qartë një prirje: Më pak fuqi në Perëndim, dhe gradualisht rritje e kësaj fuqie në Lindje”. I pyetur nëse lulëzimi i Putinit do të zgjasë edhe në vitin 2016, Lane u shpreh se sikurse tregon historia pushteti siç vjen edhe ikën.

Ndërkaq, ato çka ndikojnë në hartimin e kësaj liste janë: sasia e parave në llogarinë bankare, impakti që personazhet kanë në publik, apo sferat e tyre të influencës.

Papa Françesku ka ruajtur pozicionin e tij në vend të katërt, ashtu sikurse vitin e kaluar, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Kinës, Xi Jinping , ka rënë 2 pozicione. E ndërsa emra të rinj që prezantohen për herë të parë në listën e revistës “Forbes” janë edhe Hillary Clinton (58) Donald Trump (72) dhe Justin Trudeau, kryeministri i Kanadasë.

E ndërsa skandalet respektive që përfshin Joseff Blatter, ish-presidentin e FIFA-s, apo Martin Winterkorn, ish-kreun e Volkswagen, i kanë përjashtuar këta të fundit nga klasifikimi i prestigjiozes.
 
Teksa Putin u shpall si njeriu më i fuqishëm i botës nga revista “Forbes”, shefi i Kremlinit mori vendimin se Rusia duhet të fillojë zhvillimin dhe prodhimin e pajisjeve personale mbrojtëse kundër kërcënimeve bërthamore, apo kimike, dhe shume shpejt sipas tij vendi duhet të prodhojë asete të tilla të teknologjisë së fundit.

Top Channel