Shembet ndërtesa në Pakistan, 16 të vdekur, mbi 100 të bllokuar

04/11/2015 20:00

Të paktën 16 persona kanë mbetur të vdekur në qytetin pakistanez Lahore ditën e mërkurë, pasi një fabrikë në ndërtim është shembur.

Grupet e shpëtimit kanë bërë të ditur se ekziston frika se nën rrënoja mund të kenë mbetur të bllokuar mbi 150 punëtorë të tjerë, ndërsa një operacion i madh për shpëtimin e këtyre personave është duke u zhvilluar.

Bëhet e ditur se fabrika ndodhej në periferi të qytetit. Dy katet e para të saj ishin në funksion, ndërsa po punohej për ndërtimin e katit të tretë.

Mediat lokale kanë raportuar se më shumë se 40 persona të plagosur janë dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme. Në operacionin e shpëtimin po marrin pjesë edhe shumë forca ushtarake.

Shërbimet e emergjencës thonë se operacioni është mjaft i vështirë pasi po përdoren makineri të rënda për të lëvizur rrënojat, por kjo rrezikon dëmtimin e personave që janë ende nën to.

Top Channel