SHBA gjobisin me 285 mln dollarë “Deutsche Bank”

04/11/2015 21:00

Grupi bankar gjerman “Deutsche Bank” është gjobitur me 285 milionë dollarë nga entet rregullatore amerikane për shkak se ka punuar me vende të sanksionuara nga Shtetet e Bashkuara si Siria dhe Irani.

Bankës do t’i duhet t’i paguajë ndëshkimet Departamentit Financiar të shtetit të Nju Jorkut dhe Rezervës Federale.

Gjithashtu, punonjësit që kanë punuar në realizimin e transaksioneve ilegale nuk duhet të punojnë më në bankë, ka deklaruar Rezerva Federale.

Sipas autoriteteve amerikane, banka gjermane ka shkelur gjithashtu ligje të ndryshme të shtetit të Nju Jorkut dhe do të paguajë dy agjencitë në mënyrë të ndarë.

“Kompania nuk ka pasur politika dhe procedura të mjaftueshme për t’u siguruar që aktivitetet e kryera në zyrat e saj jashtë Shteteve të Bashkuara përputheshin me sanksionet amerikane”, ka deklaruar një zyrtar nga Rezerva Federale.

Institucioni në fjalë po kërkon nga “Deutsche Bank” që të krijojë një program të zgjeruar për të garantuar përputhje të plotë me sanksionet globale të vendosura nga SHBA, duke i cilësuar transaksionet me Sirinë dhe Iranin si “të pasigurta dhe të dëmshme”.

Nga ana e saj, banka deklaroi se veprimet në fjalë janë ndërprerë shumë vite më parë, duke shtuar se, “që atëherë i kemi përfunduar të gjitha bizneset me palët nga vendet e sipërpërmendura”.

Pak kohë më parë, dy banka franceze, “BNP Paribas” dhe “Credit Agricole”, morën gjoba të larta nga Shtetet e Bashkuara pikërisht për bashkëpunim me vendet e sanksionuara nga Amerika.

Administrata amerikane gjobiti “BNP Paribas” me 8.9 miliardë dollarë dhe “Credit Agricole” me 800 milionë.

Top Channel