Qeveria britanike: Avioni rus mund të jetë rrëzuar nga një bombë

04/11/2015 21:20

Avioni rus që u rrëzua në Egjipt fundjavën e kaluar mund të jetë rrëzuar nga një mjet eksploziv, ka deklaruar qeveria britanike.

Të gjitha fluturimet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe lokalitetit turistik Sharm el Sheikh janë pezulluar këtë të mërkurë, pasi ekspertët do të vlerësojnë nivelin e sigurisë në aeroportin egjiptian.

Downing Street deklaroi se, fluturimet janë shtyrë në kuadër të masave paraprake, “pasi informacione të reja dolën në dritë”.

“Ne do të nënvizonim se kjo është një masë parandaluese dhe se ne po punojmë ngushtë me linjat ajrore në këtë nismë”, deklaroi një zëdhënës.

Avioni rus tip “Aribus” me numër 321 u rrëzua të shtunën mbi gadishullin e Sinait, duke vrarë 224 pasagjerët që ndodheshin në bord, shumica e të cilëve shtetas rusë.

Ekspertë të aviacionit kanë udhëtuar në Egjipt për të mbikëqyrur masat e sigurisë në aeroportin egjiptian dhe pritet ta përfundojnë investigimin e tyre brenda natës.

Konstatimet e tyre u diskutuan në një mbledhje 1-orëshe të komitetit të emergjencave “Cobra”, i drejtuar nga kryeministri David Cameron.

Autoriteti i Aviacionit Irlandez deklaroi se ka urdhëruar kompanitë ajrore që të mos fluturojnë në atë zonë deri në një informacion të mëtejshëm.

Ndërkohë, presidenti egjiptian Al Sisi ndodhet aktualisht në Britani dhe pritet të takohet me Cameron të enjten.

Top Channel