Vazhdojnë protestat në Rumani, kërkohen reforma

05/11/2015 01:50

Për të dytën natë radhazi, mijëra vetë janë grumbulluar në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht për të protestuar pas zjarrit në një lokal nate që i mori jetën 32 personave.

20 mijë vetë u grumbulluan një natë më parë në sheshin para selisë së qeverisë, gjë që detyroi kryeministrin Victor Ponta të jepte dorëheqjen, por protestuesit janë grumbulluar sërish vetëm disa orë pas këtij akti.

“Reuters” raporton për 15 mijë protestues të cilët, të irrituar për mënyrën sesi autoritetet pajisin me leje dhe inspektojnë vendet publike, kanë marshuar nëpër rrugët e Bukureshtit dhe qyteteve kryesore të Rumanisë duke kërkuar reforma të thella.

Ponta, mbi të cilin rëndojnë akuza për korrupsion, gjatë një paraqitje televizive deklaroi se “shpresonte që dorëheqja e qeverisë së tij mund të kënaqte njerëzit të cilët kishin dalë nëpër rrugë”.

Protestuesit marshuan drejt Parlamentit, ndërsa gjatë rrugës iu kanë bërë thirrje edhe qytetarëve të tjerë që të dalin nga shtëpitë dhe të mbrojnë vendin e tyre nga njerëzit e korruptuar.

Top Channel