Bushati në Brazil, bisedime për bashkëpunimin dypalësh

05/11/2015 10:10

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati po zhvillon një vizitë zyrtare në Republikën Federative të Brazilit, ku fillimisht është takuar me homologun Mauro Luiz Iecker Vieira.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, thuhet se “ministri Bushati vlerësoi qasjen e përshkallëzuar të Brazilit kundrejt Kosovës, e materializuar së afërmi me njohjen e dokumenteve të udhëtimit. Ministri Vieira shprehu qëndrimin e Brazilit se, procesi i njohjeve të Kosovës është një çështje në zhvillim. Në fund të takimit, palët nënshkruan marrëveshjen për Transportin Ajror, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Brazilit.

Ministri Bushati zhvilloi edhe një takim me Presidentin e Dhomës së Deputetëve dhe kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme dhe Mbrojtjes. Diskutimi u fokusua mbi forcimin e bashkëpunimin dypalësh, sfidat e sigurisë, intensifikimin e dialogut politik dhe rolin e diplomacisë parlamentare, si një instrument i rëndësishëm për jetësimin e bashkëpunimit.

Ndërsa në takimin me ministrin e Shtetit për Turizmin, Alberto Alves, palët ranë dakord për finalizimin e një memorandumi bashkëpunimi në fushën e turizmit, duke njohur rëndësinë dhe potencialet e sektorit.

Top Channel