Gjermani, refugjatët nisin të zhduken; dështon krijimi i zonave të tranzitit

05/11/2015 00:00

Kancelarja gjermane, Angela Merkel takohet këtë të enjte me krerët e dy partive partnere të koalicionit të saj qeverisës, për të diskutuar mbi krizën e refugjatëve.

Të ashtuquajturat “zona tranziti” përbëjnë një prej çështjeve më nevralgjike në bisedimet e nivelit të lartë mes shefes së ekzekutivit gjerman, Horst Seehoferit nga CSU-ja (partia bavareze simotër e kristiandemokratëve të saj), dhe Sigmar Gabrielit të socialdemokratëve.

Tre udhëheqësit patën një takim edhe të dielën, ku nuk arritën dot konsensusin mbi çështjen kyç të krijimit të këtyre zona në kufijtë e Gjermanisë. Struktura të tilla duhet të shërbejnë për të vlerësuar që në momentin e shkeljes në tokën gjermane, sesa të përshtatshëm janë azilkërkuesit për pranim.

Në këtë mënyrë, deportimi i personave me mundësi të pakta për të siguruar azil, siç janë ata nga vende të origjinës së sigurtë, do të thjeshtohet në maksimum. Ideja mbështetet nga Seehofer, që javën e kaluar i lëshoi Merkelit një ultimatum për ashpërsimin e politikave kufitare, por kundërshtohet nga socialdemokratët, të cilët argumentojnë se kështu, azilkërkuesit thjesht do të mbahen në robëri.

Takimi mes partnerëve të koalicionit qeverisës vjen në mesin e disa raporteve të shtypit vendas mbi zhdukjen e një numri refugjatësh të mbërritur me valën e fundit të dyndjeve. Kjo nuk është hera e parë, që ndonjë emigrant largohet pa lënë gjurmë nga ndonjë qendër në Gjermani. Por, në Saksoninë e Poshtme, numri i të zhdukurve është shtuar shumë.

Gazeta “Neuen Osnabrücker Zeitung” njofton se, në ditët e kaluara, në këtë land janë zhdukur 700 nga 4000 refugjatët e vendosur në strehat e përkohshme. Shumë prej tyre nuk janë regjistruar fare, që është edhe hapi i parë i domosdoshëm për nisjen e procesit të azilit.

Autoritetet nuk e kanë idenë se ku ndodhen këta persona. Numri i të zhdukurve në Saksoni të Poshtme është më i lartë se mesatarja, ndërsa lajme të ngjashme mbërrijnë nga pjesë të ndryshme të Gjermanisë.

Top Channel