Kremlini: Shkaqet e rrëzimit të avionit, deri tani vetëm spekulime

05/11/2015 00:00

Kremlini ka bërë të ditur se çdolloj teorie që qarkullon aktualisht mbi shkakun e incidentit ajror të avionit rus mbi gadishullin e Sinait, që la të vdekur 224 personat në bordin e tij, janë thjesht spekulime dhe se atë çfarë ndodhi mund ta përcaktojë vetëm hetimi zyrtar që po zhvillohet mbi ngjarjen.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë kësaj të enjteje, teksa reagonte ndaj vlerësimit të Sekretarit të Jashtëm britanik, Philip Hammond, i cili tha se me shumë mundësi ka qenë dega e Shtetit Islamik në gadishullin egjiptian që ka orkestruar sulmin me bombë brenda avionit rus.

“E kemi thënë edhe më parë dhe do ta përsërisim sërish. Teoritë mbi atë çfarë ndodhi dhe shkaqet e incidentit ajror mund të publikohen vetëm në fund të hetimit zyrtar”, tha Peskov, kur u pyet në lidhje me komentet e Hammond.

“Deri më tani, nuk e kemi dëgjuar ende një konkluzion nga hetimi. Çdo lloj prezumimi i përafërt si ai britanik janë të bazuara mbi informacione, të cilat nuk janë verifikuar, ose janë spekulime”.

Peskov tha se avionët rusë po vazhdojnë të fluturojnë drejt aeroportit të Sharm el-Sheikh apo prej andej drejt Rusisë, pavarësisht se Irlanda dhe Britania vetë kanë pezulluar fluturimet e tyre. Ai tha se shpreson që, kushdo që të ketë informacione mbi atë çfarë ndodhi në të vërtetë të mund t’ia kalojë hetuesve.

Kryeministri rus, Dmitry Medvedev tha gjatë një takimi qeveritar gjatë së enjtes  se, e konsideron ende herët nxjerrjen e ndonjë konkluzioni në lidhje me shkaqet e përplasjes. Por, ai urdhëroi zyrtarët të nisin bisedimet me autoritetet e aviacioneve të huaja, për të parë nëse mund të merret ndonjë masë sigurie shtesë.

Top Channel