Paloka, ankimim në Kushtetuese: Gjykata e Lartë nuk pranoi provat kundër Ramës

05/11/2015 00:00

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të shpallë të pavlefshëm vendimin e Gjykatës së Lartë, që e dënoi për shpifje kundër kryeministrit Edi Rama.

Nënkryetari demokrat thotë në padinë e tij se, Gjykata e Lartë, nën presionin e kryeministrit i mohoi të drejtën e paraqitjes së disa provave, të cilat – siç u shpreh, – provonin akuzën se kryeministri Edi Rama është i lidhur me krimin.

Kryetari i grupit parlamentar të opozitës thotë se, Gjykata e Lartë i ka mohuar një proces të rregullt dhe të drejtë ligjor dhe shprehu besimin se, Gjykata Kushtetuese do të tregojë integritet dhe pavarësi nga kryeministri, për të marrë një vendim të drejtë.

Megjithatë, Edi Paloka u shpreh i vendosur për ta ndjekur çështjen deri në fund, duke përfshirë edhe një ankimim të mundshëm në Gjykatën e Strasburgut.

“Kam ankimuar vendimin e gjykatës, të ndërmarrë nën presionin dhe represionin e pushtetit të kryeministrit. I qëndroj deklaratave të bëra dhe, pavarësisht se Gjykata e Lartë nuk na i pranoi provat, ato shpresoj të shqyrtohen në Kushtetuese. Qeveria po ushtron presion mbi drejtësinë dhe Gjykata e Lartë është tërësisht nën dhunën dhe presionin e Ramës dhe qeverisë së tij. Shpresoj tashmë që Kushtetuesja të jetë më e lirë nga presioni i kryeministrit, por gjithsesi, edhe nëse nuk do të jetë, ne do të shkojmë deri në Strasburg për të kërkuar të drejtën tonë, aty ku realisht mbrohen të drejtat e njeriut”, tha Paloka.

Top Channel