Tension në Kuvend, ministri Beqaj fyen deputeten e PD-së dhe kërkon ndjesë

05/11/2015 00:00

Parlamenti u përfshi në debate të forta dhe fyerje pasi deputetja demokrate, Albina Deda i kërkoi ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj të merreshin masa për një fëmijë, i cili ka nevojë për transplant.

“Të pashpresë dhe kërkoni të bëni politikë edhe me sëmundjen, duke mos kursyer as femijët”, do të përgjigjej ministri Beqa, i cili sqaroi se çfarë është bërë deri më tani me këtë rast.

“Që në nëntor të vitit 2014 strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë janë marrë me këtë rast, e cila është një sëmundje shumë e rrallë. Të dhënat për këtë sëmundje janë të pakta shkencërisht edhe botërisht, por mendohet se është një në 1 milion. Ne i jemi drejtuar institucioneve të huaja që kanë eksperiencë në të tilla raste dhe marrëveshje bashkëpunimi me ne dhe është fjala për të realizuar një transplant të plotë të mëlçisë, që do të thotë se duhet të kemi organin për të të bërë transplantin”, tha Beqaj.

Por përgjigja e Beqajt është kontestuar nga deputetja tjetër e djathtë, Arbjola Halimi.

“Ministria është përgjegjëse, pasi prej një viti i ka fshehur prindërve refuzimin që i ka bërë Turqia, ndërkohë që gjendja e tij është përkeqësuar shumë gjatë një viti. Aktualisht ky fëmijë nuk ekziston i regjistruar në asnjë spital që merr përsipër këtë transplant”, reagoi deputetja Halimi.

“Mos e gënjeni opinionin publik. Familja është njoftuar në vijimësi për të gjitha përgjigjet që kanë ardhur. Së dyti, përpara se ai rast të hyjë në listën e pritjes së një spitali duhet të jetë disponibël organi që të bëhet transplanti. Ky rast nuk mund të zgjidhet me një transplant të pjesshëm dhe duhet marrë ai organ nga një listë pritjeje e bankave të organeve”, tha Beqaj.

Ministri Beqaj ka replikuar nga vendi me deputeten Albina Dede. Kaq ka mjaftuar për një tjetër reagim nga deputetja Albina Deda.

Deputetja Jorida Tabaku kërkoi mbledhjen e byrosë parlamentare dhe marrjen e masave ndaj Beqajt ndërsa Jozefina Topalli kërkoi përjashtimin e tij. Me rinisjen e seancës ministri Beqaj kërkoi ndjesë.

“Që në fillim, dua t’i kërkoj ndjesë zonjës Deda për fjalët e pahijshme që ndodhi pak më parë. Sigurisht që janë fjalë që nuk duhet të përdoren nga askush dhe aq më shumë nga ne që kemi marrë përsipër të kryejmë funksione të larta publike. Por edhe unë njeri i gjallë jam dhe në vazhdën e fyerjeve të përsëritura me sa duket edhe unë e tejkalova”, ishte ndjesa e ministrit.

Top Channel