Deti i Kinës Jugore, Carter viziton aeroplanmbajtësen e SHBA-ve; irriton Pekinin

05/11/2015 00:00

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter ka zbritur në aeroplanmbajtësen amerikane, e cila vetëm pak ditë më parë kaloi tranzit në ujërat e diskutueshëm të detit të Kinës Jugore, teksa këtë të enjte ka fajësuar Kinën për rritjen e panevojshme të tensioneve në rajon, ndërkohë që edhe vetë vizita e tij pritet të irritojë edhe më tepër Pekinin.

Vizita e Carterit në “USS Theodore Roosevelt” së bashku me ministrin e Mbrojtjes së Malajzisë, Hishammuddin Hussein vjen vetëm një javë pasi aeroplanmbajtësja “USS Lassen”, që shërben gjithashtu edhe si lëshuese predhash, sfidoi kufijtë e ujërave territorialë përreth një prej ishujve artificialë të Kinës në arkipelagun e Spratlyt, bazuar mbi të ashtuquajturën liri dhe e drejtë e patrullimit detar.

Kina ka pretendime mbi një pjesë të rëndësishme të ujërave të detit të Kinës Jugore, përmes të cilave zhvillohet një tregti globale me vlerë prej 5 trilionë dollarësh (5 bilionë sipas francezëve) çdo vit. Vietnami, Malajzia, Brunei, Filipinet dhe Tajvani kanë gjithashtu pretendime kontradiktore në të njëjtën zonë të globit.

“Të qenit këtu në ‘Theorodre Roosevelt’ në detin e Kinës Jugore është një simbolikë, që nënkupton praninë stabilizuese të Shteteve të Bashkuara, siç e kanë pasur në pjesë të ndryshme të botës për dekada me radhë”, tha Carter për reporterët, teksa aeroplanmbajtësja lundronte rreth 150-200 milje detare nga brigjet jugore të arkipelagut Spratly, si dhe rreth 70 milje detare në veri të Malajzisë.

I pyetur në lidhje me domethënien e vizitës së tij në një moment të tillë, ai tha se “Nëse kjo po theksohet sot në një mënyrë të veçantë, është për shkak të tensioneve në rritje në këtë pjesë të botës, kryesisht prej mosmarrëveshjeve mbi pretendime territoriale tokësore dhe ujore të detit të Kinës Jugore, si dhe për shkak të aktivitetit të ndërmarrë gjatë vitit të fundit kryesisht nga Kina”.

Anija luftarake “ka zhvilluar operacione rutinë, teksa tranzitonte përmes detit të Kinës Jugore”, tha Carter gjatë së mërkurës, pas takimit me ministrat e Mbrojtjes të vendeve të Azisë Juglindore, në Malajzi, një forum i prishur prej mosmarrëveshjeve mes SHBA-ve dhe Kinës për linjat detare.

Pekini e ka qortuar Uashingtonin për patrullimet, ndërkohë që komandanti i Marinës kineze ka paralajmëruar se qoftë edhe një incident tepër i vogël mund të shkaktojë nisjen e luftës në detin e Kinës Jugore, nëse Shtetet e Bashkuara nuk ndalin “veprimet e tyre provokuese”.

“Kina ka respektuar vazhdimisht, si dhe ka mbrojtur lirinë e lundrimit apo fluturimeve ajrore të të gjitha vendeve, bazuar mbi ligjin ndërkombëtar”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying, gjatë së enjtes, kur u pyet në lidhje me vizitën e Carterit përpara se ajo të zhvillohej.

“Ajo që ne kundërshtojmë është ngritja e ‘parullës së lirisë së lundrimit’ për të shtyrë përpara militarizimin e detit të Kinës Jugore, si dhe për të provokuar apo rrezikuar sovranitetin dhe interesat e sigurisë së vendeve të tjera. Në këtë aspekt, ne shpresojmë që veprimet e fundit dhe qëllimet e tyre, SHBA-të t’i shfaqin më mirë hapur”.

Top Channel