Kosovë, statistikat: Rritje e numrit të ndërmarrjeve të reja të regjistruara

05/11/2015 00:00

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat mbi ndërmarrjet në Kosovë për tremujorin e tretë të vitit 2015, ku rezulton se janë regjistruar gjithsej 2.284 ndërmarrje.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2014, ka pasur një rritje prej 19% të ndërmarrjeve të reja të regjistruara. Ndërkohë, nëse e krahasojmë me tremujorin paraprak të këtij viti vërehet një rënie me 8.2% të ndërmarrjeve të reja.

Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin tregtia, me 622 ndërmarrje të reja (27.2%); akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve ushqimore, me 256 (11.2%); prodhimi, me 239 (10.5%); bujqësia, pylltaria dhe peshkimi, me 208 (9.1%); aktivitetet e shërbimeve të tjera, me 189 (8.3%); ndërtimtaria, me 160 (7.0%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike, me 123 (5.4%); transporti dhe ruajtja, me 108 (4.7%); ndërsa aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël.

Sa i përket kategorisë së numrit të të punësuarve, me nga 1-4 të punësuar janë rreth 2.232 ndërmarrje, ose 97.7% të ndërmarrjeve të reja; me 5-9 të punësuar janë 31 ndërmarrje(1.4%); 10-19 të punësuar janë 16 ndërmarrje(0.7%); 20-249 të punësuar janë 5 ndërmarrje (0.2%); ndërsa në kategorinë tjetër (250+) nuk është asnjë ndërmarrje e regjistruar në këtë tremujor.

Ndërkohë, për shtrirjen gjeografike të ndërmarrjeve të reja në nivel komunash, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron Prishtina, me 554 ndërmarrje të reja (24.3%); Ferizaj me 176 (7.7%); Prizreni me 169 (7.4%); Gjilani me 136 (6.0%); Peja me 123 (5.4%); Mitrovica me 109 (4.8%); Gjakova me 105 (4.6%); ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë këtij tremujori.

Top Channel