Rusia, armatime të reja në Siri: Sigurojmë mbrojtje për avionët tanë

05/11/2015 00:00

Rusia ka dërguar në Siri sisteme raketash antiajrore, me qëllimin t’iu sigurojë mbrojtje më të mirë avionëve të saj luftarakë, të angazhuar prej javësh në një fushatë bombardimesh thuajse të përditshme.

Kreu i forcave ajrore ruse, gjeneral-koloneli Viktor Bondarev i tha të përditshmes “Komsomolskaya Pravda” se, është bërë një analizim shumë i kujdesshëm i situatës, e janë marrë në konsideratë të gjitha kërcënimet e mundshme.

“Për këtë arsye vendosëm të nisnim në atë vend jo vetëm avionë luftarakë, bombardues apo helikopterë, por edhe bateri antiajrore”, – sqaron ai.

Një prej arsyeve që nxiti këtë vendim, – sipas Bondarevit, – është edhe rreziku se, mjetet ruse mund të sulmohen apo rrëmbehen, si brenda Sirisë, ashtu nga territori i shteteve fqinje me të.

“Për këtë arsye duhet të jemi të përgatitur, – argumenton ai,  duke shtuar më tej se – Moska ka aktualisht mbi 50 avionë dhe helikopterë në atë vend, saktësisht numri që i nevojitet për momentin”.

Ndërkohë, duke folur përpara Komisionit të Çështjeve të Jashtme, në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, ndihmëssekretarja e Shtetit, Anne Patterson e akuzoi Moskën se po e “përkeqëson rrezikshëm luftën në Siri”.

“Ndërhyrja ruse, – u shpreh zyrtarja e lartë amerikane, – egërsoi një ambient që ishte edhe ashtu tejet i rënduar. Me shumë cinizëm, Rusia pretendon se mësymja e saj ajrore ka në shënjestër terroristët, por deri tani, 85 apo 90% e goditjeve kanë prekur grupet e opozitës së moderuar siriane, e të vrarët gjatë këtij procesi kanë qenë civilë”, ishte deklarata e Patterson.

Ajo pretendon gjithashtu se, prej ofensivave të mbështetura nga sulmet ajrore ruse, nga Siria janë shpërngulur gjatë kësaj kohe të paktën 120 mijë persona.

Top Channel