“Remzi Hoxha”, Braçe-Berishës: Trego varrin! Berisha: Dosjen e zhduku Klosi

05/11/2015 00:00

Deputeti socialist, Erion Braçe i kërkoi Sali Berishës, President i Republikës në kohën kur Shërbimi Sekret rrëmbeu dhe zhduku shqiptarin nga Maqedonia, Remzi Hoxha, që t’u tregojë familjarëve të tij se ku e ka varrin.

Erion Braçe: Zoti Berisha, ju dhe unë e njohim shumë mirë Remzi Hoxhën. Nuk e di në ç’rrethana e keni njohur ju, por unë e kam njohur si gazetar i “Zërit të Popullit” dhe Remzi Hoxha ishte një shqiptar i madh. Jemi në vitin e 20 kur, Remzi Hoxha jo vetëm që nuk është më, sepse u rrëmbye, u torturua, u vra dhe iu zhdukën edhe eshtrat; por jemi në ditët kur familjarët e tij kërkojnë eshtrat e prindit, të babait, vëllait apo të afërmit të tyre. Keni detyrimin si gjysh, si prind, si vëlla, apo çfarë të doni ju, t’i thoni asaj familjeje se ku janë eshtrat e Remzi Hoxhës. Nuk të kërkoj absolutisht asgjë tjetër, pjesa tjetër i takon drejtësisë, ndaj të merren ata. Dua t’i bëj një thirrje ministrit të Brendshëm që padiskutim, ashtu si cilindo keqbërës tjetër, që ndodhet kudo në botë dhe po vjen këtu në Shqipëri për të vuajtur dënimin e tij, ashtu të sjellë edhe kasapin e atij regjimi. Ilir Kumbaron ta sjellë këtu!

Por Berisha tha se nuk ka pasur dijeni për këtë operacion, madje akuzoi se dosjen e tij e shkatërroi ish-shefi i Shërbimit Sekret, Fatos Klosi.

Sali Berisha: Rastin e tij, për herë të parë ma ka ngritur Adem Demaçi. Jam marrë me të gjitha mundësitë e mia. Nuk kisha pasur kurrë asnjë informacion, as emrin e tij nuk e kisha dëgjuar kurrë. U tha se ka marrë pjesë në atentatin me autobombë ndaj Gligorovit, nuk kam pasur asnjë informacion. U tha më vonë se është akuzuar se ka marrë pjesë në atentat ndaj Sali Berishës, sërish nuk kam pasur asnjë informacion. Këto ishin vetëm sajesa dhe trillime, të atyre që kërkonin të përdornin një njeri, që mbase e zhdukën vetë, për qëllime politike. Gjënë e parë që bëri Fatos Klosi, ishte të zhdukte dosjen e tij. Nëse do dikush, sot janë dëshmitarë që e kanë ndjekur për dy dosje. Dosja rindërtohet plotësisht për Fatos Klosin.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri akuzoi Berishën se po gënjente Parlamentin për këtë çështje dhe se dikasteri që ai drejton e ka për detyrë që të rikuperojë vonesat e qëllimshme që penguan Ilir Kumbaron të vinte e të vuante dënimin në Shqipëri.

“Ai ishte një krim shtetëror që kulmonte pa asnjë dyshim tek zyra e ish-Presidentit. Ish-kryeministri tha që nuk ka qenë në dijeni. Në fakt është provuar në gjykim që është vënë në dijeni 3 ditë pas zhdukjes nga familjarët e Remzi Hoxhës, që i kërkuan të gjejë ku është. Është provuar që është kontaktuar në zyrën e tij nga familjarët për t’i kërkuar mëshirë dhe t’i sillte familjarin e gjallë. Ministria e Brendshme do të bëjë ç’është e mundur që të t’u kërkojë autoriteteve angleze që të bëjnë gjithçka ka në dorë që të kapë dhe të sjellë në Shqipëri kasapin që zhduku 3 njerëz”, tha Tahiri.

Për akuzat e Berishës reagoi edhe ish-shefi i SHIK-ut Fatos Klosi, i cili i tha portalit Javaneës se “kur bëhen punë të pista, gjëja e parë që zhduken janë dosjet”.

“Ata i kanë zhdukur. Kanë pasur dosje më parë, por pasi u mbeti në dorë i zhdukën. S’kemi gjetur asnjë dosje”, deklaroi Klosi.

Ai i bën një pyetje të drejtpërdrejtë Berishës lidhur me këtë akuzë: “Përse shtatë ish-punonjës të SHIK-ut, pasi u mbeti në dorë Hoxha, i pajisi me pasaportë diplomatike dhe i nis në Angli?”.

Top Channel