Kosovë, ministri turk i Kulturës takohet me homologun e tij dhe Mustafën

05/11/2015 00:00

Ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Yalçin Topçu vizitoi Kosovën, ku u prit nga homologu i tij kosovar, Kujtim Shala, si dhe kryeministri Isa Mustafa.

Në mungesë të një konference për shtyp, nga komunikatat për media mësohet se, në këto takime ministri Yalçin Topçu shprehu përkushtimin e qeverisë turke, që të vazhdojë të ndihmojë Kosovën edhe në të ardhmen në arenën ndërkombëtare, sidomos në procesin e anëtarësimit në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, siç është tani procesi i UNESCO-s.

Gjithashtu, ministri turk Topçu foli për domososhmërinë, që Kosova të forcojë paqen dhe bashkëjetesën mes komuniteteve, në të mirë të një rajoni më të qetë dhe më të qendrueshëm.

Ministri turk Topçu premtoi mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë në fushën e kulturës, edukimit dhe ekonomisë.

Ndërsa, ministri Shala e falënderoi ministrin Topçu për mbështetjen e vazhdueshme, që Turqia i jep Kosovës në shumë fusha, përpara, si dhe prej pavarësisë e këtej, duke vënë theksin sidomos te ndihma që i jepet Kosovës, në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Gjatë takimit me kryeministrin Isa Mustafa është vlerësuar lart përkrahja e Turqisë për Kosovën, duke shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit, me theks të veçantë në ekonomi, turizëm dhe kulturë.

Top Channel