Berisha: Lumë kontrabande cigaresh. Mikja e Ramës futi 1000 tonë

05/11/2015 00:00

Nga foltorja e Parlamentit, ish-kryeministri Berisha akuzoi Qeverinë se ka lajuar një kontrabandë masive të cigareve. Ai iu referua një biznesmeneje, sipas tij shumë të afërt me kryeministrin Rama, që ka futur 1.000 tonë cigare kontrabandë me vlerë 48 milionë euro.

“Sa është kontrabanda e cigareve thoni ju? 1000 tonë. Sa është fatura e 1000 tonëve? 43 milionë euro. Sepse ndrikulla, simotra me fustan, simotra Kokëdhima por me fustan, nuk ka dogana. Ajo i kontrollon vetë doganat. E dini ju që ajo ka fituar tenderin për kontrollin e shtetit të doganave? Por po qe hajdut, nuk njeh kufij”, është shprehur deputeti Berisha.

Ndërkohë, ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij në seancën parlamentare e ka cilësuar si hipokrit pr.ligjin e Qeverisë për shoqërinë civile.

“Sot Parlamenti është në një seancë hipokrizie. Shoqëria civile është pothuajse inekzistente në këtë vend”, ka thënë Berisha, i cili në vijim të fjalimit të tij ka përmendur edhe rastin e sulmit me vezë ndaj kryeministrit Rama.

“Rasti te Shkencat Sociale është dëshmi flagrante e terrorit shtetëror ndaj studentëve. Studentët shpallën non grata kryeministrin dhe qeverinë e tij. Ata që kanë keqtrajtuar studentët të ndëshkohen në mënyre shembullore”, ka thënë Berisha.

Më tej ai ka përsëritur ndaj qeverisë edhe akuzat për vjedhje.

“Janë porositur 3 Benza të blinduar, të paktën 700 mijë euro secili. Në qeverinë time kishte vetëm një Benz të blinduar, që e përvetësoi Edi Rama”, ka thënë Berisha. “Po vidhet masivisht dhe nuk po bëhet asnjë punë publike”, ka shtuar ish-kryeministri.

Akuzave të Berishës i është përgjigjur kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe. “Abuzuat për 8 vite. Mos jini të njëanshëm kur flisnin për luksin”, ka thënë Braçe.

Top Channel