“Insektet duhet të bëhen pjesë e tryezave tona”. Ky është rezultati i një studimi të agjencisë qeveritare britanike të ushqimit, e cila në raportin e fundit këshillon nisjen e fushatës së ndërgjegjësimit për njerëzit në mënyrë që brenda një dekade ky burim ushqimor të mos jetë më tabu.

“Furnizimi i vazhdueshëm i popullsisë së Britanisë së Madhe me ushqime proteinike do të jetë njëra prej sfidave më të mëdha në dekadat në vazhdim”, thuhet në raport.

Raporti sjell si shembull dietat e Azisë Lindore, ku konsumi i insekteve është ngulitur në kulturat e kuzhinave vendase prej qindra vitesh tashmë dhe këshillon përhapjen e kësaj kulture edhe në Perëndim, ashtu si sushi, ushqimi tradicional japonez, që pas viteve 2000 ka nisur të shërbehet në restorantet e gjithë Europës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Toka prodhuese, nga kendvështrimi agro-kulturor, është në limitet e veta, ndaj duhet të mendojmë për burime alternative të proteinave që reduktojnë varësinë tonë nga toka ose përdorimi i saj. Kjo do të ishte diçka e mirë”, thotë Richard Sëannel, zyrtar i Programit të Burimeve Ushqimore pranë qeverisë britanike.

Ky nuk është raporti i parë që këshillon insektet si burim ushqimor. Një vit më parë, një panel ndërqeveritar doli në përfundimin se zëvendësimi i proteinave të mishit me ato të insekteve, jo vetëm që do të ndihmonte në një ushqim më cilësor dhe me të bollshëm, por edhe do të ndikonte pozitivisht në ndryshimet klimatike sepse mishi kërkon më shumë tokë dhe ujë për t’u rritur, ndërkohë që insektet kërkojnë më pak burime për të prodhuar të njëjtën sasi proteinash.

Kultivimin artificial të larvave, krimbave dhe insekteve të tjera me gjak ftohtë që kërkojnë pak energji për t’u zhvilluar kanë këshilluar edhe dy të rinj shkencëtarë, njëri italian dhe tjetri zviceran.

Për këtë, italiani Stefan Klettenhammer dhe zvicerani Meinrad Koch prezantuan ‘sobën e ushqimit me bazë insekte, larva e krimba’.

“Rritja e insekteve dhe krimbave është e thjeshtë dhe me kosto të ulët që mund të përballohet kollaj edhe në vendet e varfra”, thotë Klettenhammer.

Ndërsa për Koch, insektet janë të shijshme dhe gjithë sekreti qëndron tek mënyra e gatimit të tyre e për më tepër janë të pasur me proteina, që shkojnë deri në 95 përqind në disa syrësh.

Shpikja e dy shkencëtarëve ka tërhequr vëmendjen mediatike në Zvicër dhe më gjerë e për këtë si Roch ashtu edhe Klettenhammer po mendojnë që ta hedhin në treg krijesën e tyre.

Aktualisht më shumë se 2 miliardë njerëz në botë shijojnë ushqyerjen me brumbuj, grerëza dhe insekte të tjera si pjesë e vakteve normale të tyre. Kjo kulturë e të ushqyerit perceptohet në mënyra të ndryshme dhe jo çdokush dëshiron të konsumojë insekte.

Top Channel