Restaurimi i objekteve me rëndësi në Berat

05/10/2015 18:05

Në qytetin e Beratit ka një numër të konsiderueshëm objekte kulti, kisha, xhami si dhe teqe, ku një pjesë emirë e tyre që përbejnë edhe bazen e trashëgimisë së qytetit të UNESCO-s janë rrënuar nga erozioni apo nga dora e njeriut ndër vite.

Së fundmi ka filluar restaurimi i objekteve që janë më tepër të rrënuara dhe me rëndësi të veçantë vlerash turistike, historike dhe muzeale.

Dega e Monumenteve në Berat ka filluar me disa objekte kulti si Kisha e Shën Triadhës dhe Shën Vllahenës.

Kisha e Shën Triadhës është një nga monumentet më të rëndësishme të stilit bizantin, e cila daton që në shekullin e XIII, është një kishë tepër e veçantë për nga arkitektura e saj dhe shumë shpejt do të ketë një imazh krejtësisht të ri dhe kjo në sajë të një projekti për restaurimin që ka nisur Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në këtë qytet, në bashkëpunim me specialistë të Institutit të Monumneteve të Kulturës.

Me të ardhurat e saj, Drejtoria Rajonale ka nisur që prej disa ditësh punën për restaurimin e këtij objekti që për dekada ishte lënë në gjendje jo të mirë. Sipas Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Eugen Kallfani, po punohet për sa i përket punimeve restauruese për mirëmbajtjen e çatisë së kësaj kishe, muret si dhe pjesës më të rëndësishme brenda saj. 

Faza e dytë e restaurimit do të jetë ajo e konsolidimit të afreskut në pjesët që ka arritur të mbijetojë deri në ditët e sotme.

“Do të ketë një punë të përbashkët me specialistët e artit të drejtorisë tonë dhe atyre të institutit të Monumenteve të Kulturës. Duke shpresuar që punimet të avancojnë në rritme të mira shpresojmë që brenda pak muajsh të përfundojnë këto punime”, thotë drejtori Kallfani.

Kisha e Shën Triadhës është një nga monumentet më të rëndësishme të stilit bizantin që daton që në shekullin e XIII,  është nje kishë tepër e veçantë për nga arkitektura e saj dhe ndodhet në lagjen simbolike “Kala”.

Gjithsesi ajo që drejtori i Monumenteve të Kulturës në Berat thekson është se duhet një bashkëpunim më i madh midis institucioneve si ato shtetërore dhe fetare.

Top Channel