Pollo në PE, kritik për lirinë e shprehjes

05/11/2015 19:20

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Median, Genc Pollo u shfaq tepër kritik për gjendjen e lirisë së shprehjes në vend, pas takimit të posaçëm, që ai zhvilloi për rreth 30 minuta me komisionerin Johannes Hahn, në mjediset e ndërtesës së Komisionit Europian, “Charlemagne”, ndërsa vijonte punimet konferenca mbi median.

Genc Pollo: Është një shqetësim i përgjithshëm edhe i komisionerit, edhe i Parlamentit Europian, i BE-së në tërësi, për një degradim, përkeqësim të dukshëm të lirisë së medias në Shqipëri. Ndërkohë që kemi të bëjmë me një rregullator, siç është AMA, që nuk është thejsht nën kontrollin e qeverisë, duke vënë aty në shkelje të ligjit një person të afërt me të, si dhe folëm për zhvillimet e fundit në vend; reformën në drejtësi, dekriminalizimin; patjetër që këto janë tema të rëndësishme, që Komisioni Europian i ndjek nga afër.

Top Channel: E ç’mendonte komisioneri për testin e drogës?

Pollo: Unë mendoj se dekriminalizimi është një njollë turpi për Shqipërinë. Ajo ç’ka ndodhur këto dy vite është një njollë, që duhet larë me çdo kusht dhe sa më shpejt të jetë e mundur. Pa u vonuar me gjëra të vogla, por të rëndësishme, duke e mbyllur këtë kapitull, që Edi Rama dhe Ilir Meta e zvarritën për 9 muaj.

Burime pranë komisionerit Hahn rrëfejnë se, takimi shërbeu më shumë për të dëgjuar shqetësimet e përfaqësuesit të Parlamentit shqiptar, pa dhënë ndonjë mesazh të posaçëm, pak ditë përpara publikimit të pritshëm të raportit të progresit për Shqipërinë.

Përgatiti Arta TOZAJ

Top Channel