Sa do të ndikojë tragjedia e Sinait në turizmin e Egjiptit?

06/11/2015 00:00

Turizmi është një biznes shumë fitimprurës për Egjiptin. Vetëm gjatë vitit 2014, vendin e kanë vizituar 9.8 milionë vetë, duke i shtuar ekonomisë së tij 36 miliardë dollarë, apo gati 12,8% të PBB-së.

Sektori siguron gjithashtu 11,6% të punësimit të përgjithshëm. E përkthyer në shifra, kjo është e barazvlefshme me 2,9 milionë vende pune. Tani egjiptianët druhen se rrëzimi i avionit rus në Gadishullin e Sinait do t’i largojë turistët dhe shenjat e para erdhën me vendimet e Britanisë së Madhe e Shteteve të Bashkuara për të ndaluar fluturimet drejt resortit të tij më të famshëm, Sharm el Sheikut. Avioni i tragjedisë së konsumuar të shtunën ishte i mbushur me turistë rusë.

Egjipti është një nga destinacionet e preferuara të rusëve. Që nga viti 2013, llogariten të kenë kryer 1.9 milionë udhëtime në këtë vend. I vetmi vend i vizituar më shumë prej tyre është Turqia. Statistikat tregojnë se një në pesë turistë në Egjipt është rus. Ndërsa numri i vizitorëve nga Britania është në rënie. Arsyen e këtij fakti ekspertët e gjejnë tek trazirat politike të vitit 2011 dhe sulmet e shtuara të militantëve islamikë.

Nëpër një situatë të ngjashme kaloi disa muaj më parë edhe Tunizia. Pas vrajes së 38 turistëve në një plazh të saj nga një militant islamik, të huajt nxituan të largoheshin kush e kush më parë. Eksodi i turistëve ngjalli menjëherë tek vendasit frikën e asaj që do të pasonte: a do ta fshinin të huajt vendin nga harta e preferencave të tyre turistike? Në vitin 2012, një vit pas shpërthimeve në Marakesh ku humbën jetën 15 vetë, numri i britanikëve që zgjodhën t’i kalonin pushimet në Marok u rrit me 51.000 dhe ndoqi të njëjtën tendencë përgjatë vitit të kaluar, duke mbërritur shifrën e 460.000 vizitorëve.

Shembulli ilustron më së miri atë çfarë tregojnë të dhënat në total: industria e turizmit vuan më shumë nga probleme të sigurisë të shtrira në kohë, siç kanë ndodhur në Egjipt, sesa nga sulmet e veçuara terroriste.

Top Channel