Skënderbeu-Sporting 3-0, mediat portugeze: Mbrëmje katastrofë!

06/11/2015 10:35

Skënderbeu mori 3 pikët e para në Europa League pasi mundi Sportingun e Lisbonës me rezultatin e pastër 3-0. Kjo disfatë e luzitanëve padyshim nuk është kapërdirë në median vendase, e cila e cilësoi mbrëmjen e 5 nëntorit si katastrofike për skuadrën e Jorge Jesus.

E përditshmja “A Bola” është ajo që shfaqet më e butë me Sportingun në krahasim me mediat e tjera: “Sportingu humbet në Shqipëri ndaj Skënderbut. Ishte një sfidë ku spikati ndëshkimi me karton të kuq i Rui Patricios në minutën e 17”.

Ndërsa “O Jogo” e përqendron vëmendjen te fakti se Sportingu i Lisbonës prej 4 vitesh nuk arrin dot të fitojë një ndeshje jashtë fushës së tij: “Një thatësirë fitoresh që zgjat që nga viti 2011. Në Shqipëri, sfida ishte një katastrofë e vërtetë”.

“Diario De Noticias ishte një ndër të përditshmet portugeze që u shfaq shumë kritike ndaj Sportingut: “Sportingu turpërohet në Shqipëri nga skuadra modeste e Skënderbeut. Ishte një mbrëmje e errët, ku skuadra bëri paraqitjen më të dobët të saj”. Në të njëjtën linjë qëndron edhe “Publico” me artikullin: “Mbrëmje katastrofike e Sportingut në Shqipëri. “Luanët” pësuan një humbje të rëndë ndaj Skënderbeut, duke luajtur për 70 minuta në inferioritet numerik”.

Ndërsa “Expresso” shfaq habinë e saj teksa shkruan: “Askush nuk e vinte bast. Sportingu mundet me goleadë në Shqipëri”.

Top Channel