Gjermania përshpejton riatdhesimin e azilkërkuesve

06/11/2015 11:45

Gjermania do të përshpejtojë riatdhesimin e azilkërkuesve të refuzuar, pasi koalicioni qeverisës zgjidhi ngërçin mbi çështjen.

Kancelarja Angela Merkel deklaroi se 5 qendra të posaçme do të menaxhojnë aplikimet e azilkërkuesve që kanë fare pak shanse të pranohen.

Sipas kancelares, 5 qendrat e në fjalë do të mbajnë emigrantë nga vende të cilat konsiderohen të sigurta, që nuk do t’u lejohet më hyrja në Gjermani dhe ata që do të refuzojnë bashkëpunimin.

Përmes përshpejtimit të procedurave të azilit, çështjet do të mund të shqyrtohen në një javë e jo më në muaj dhe apelet do të zgjasin jo më shumë se dy javë. Shumica e azilkërkuesve pritet të dëbohen.

Partnerët kristian dhe social-demokratë të Merkel e kishin argumentuar për javë të tëra planin në fjalë.

“Ne kemi hedhur një hap të rëndësishëm përpara”, deklaroi Merkel në konferencën e përbashkët për shtyp me liderin social-demokrat Sigmar Gabriel.

Ata theksuan gjithashtu rëndësinë e përballjes me arsyet që detyrojnë njerëzit të largohen nga vendet e tyre dhe nevojën për të bërë më të sigurtë kufijtë e jashtëm të BE-së.

Gjermania deklaron se pret të marrë të paktën 800 mijë azilkërkues këtë vit. Ndërsa më herët, Komisioni Evropian deklaroi se 3 milionë emigrantë ka gjasa të mbërrijnë në Evropë brenda vitit 2017.

Fluksi i madh i azilkërkuesve ka shkaktuar përçarje politike në mbarë BE-në, me vendet anëtarë që nuk po bien dakord me mënyrat e menaxhimit të krizës. 

Top Channel