De Maiziere: Shqiptarët s’kanë arsye për azil

06/11/2015 00:00

Në një takim në Tiranë, për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër, ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere shprehu edhe njëherë tjetër vendimin e qeverisë së tij për azilantët shqiptarë.

“Për ne është një shqetësim i madh, sepse nuk ka asnjë arsye se pse nga Shqipëria njerëzit të vijnë dhe të pretendojnë se përndiqen politikisht. Kjo është një situatë e papranueshme. Shqipëria është një vend i origjinës së sigurtë. Sigurisht, prurjet e këtij viti janë të larta. Bëhet fjalë për 50 mijë të ardhur me dokumenta shqiptare. Numri në muajt e fundit ka rënë, por mbetet shqetësim. Në tetor erdhen 4 mijë shqiptarë”, deklaroi ministri gjerman, De Maizier.

Ministri i Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri, tha se me masat e marra kohët e fundit numri ka rënë. Sipas tij, shumica e shqiptarëve që kërkojnë azil në Gjermani janë shqiptarë që jetojnë prej vitesh në Greqi. Nga ana tjetër ministri ka shtuar se, qeveria shqiptare është gati për të zhvilluar programe adeguate për punësimin ligjor të shqiptarëve në Gjermani.

Thomas de Maziere deklaroi se Gjermania nuk ka statistika se nga vijnë shqiptarët, por tërhoqi vëmendjen duke deklaruar se nuk do të ketë më ndihmë financiare dhe kohë të gjatë qëndrimi për ata që kërkojnë azil.

“Njerëzit vijnë atje dhe paraqesin pasaportat e tyre shqiptare dhe ne nuk mund gjemë të shkuarën e tyre. Më vjen keq, po nuk kemi statistika dhe se gjatë marrjes në pyetje, shumë prej tyre nuk thonë të vërtetën. Ekzistojnë disa faktorë që i tërheqin shqiptarët të shkojnë drejt Gjermanisë, sikurse mund të jenë fjalët se me të mbërritur të jepet mbështetje financiare, punë dhe shtëpi. Asnjëra nga këto nuk është e vërtetë. Kohët e fundit ne kemi zëvendesuar asistencën financiare me shërbime dhe kemi përshpejtuar procedurat, që brenda tre javësh të merret vendimi për ta|, thotë ai.

Ministri i Brendshëm shqiptar, tha se janë duke u zhvilluar programe për punësim ligjor të shqiptarëve në Gjermani.

Mes dy ministrave është diskutuar edhe për dy çështje të tjera, krimin e organizuar dhe refugjatët sirianë. Për pak javë në Tiranë do të jetë një ekspert federal, i cili do të këshillojë Departamentin e Krimit të Organizuar.

Ministri i Brendshëm gjerman, përpara largimit nga Shqipëria, ka patur edhe një takim me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Top Channel