Deklarata e Orban për hungarezët: Bëni më shumë fëmijë

06/11/2015 00:00

Përballë atij që e sheh si pushtim të një civilizimi tjetër, Viktor Orban ka një zgjidhje të thjeshtë: liderët e Europës, sipas kryeministrit hungarez, duhet t`iu krijojnë prindërve kushte për të pasur më shumë fëmijë.

Qytetërimi ynë vetëm kështu mund të mbijetojë, tha Orban gjatë një konference në Budapest me argumentin se një nismë e tillë do të ndihmojë kontinentin të përballet më mirë me të ardhmen.

“Europa nuk mund ta ndërtojë të ardhmen e saj duke u mbështetur tek emigracioni e jo tek familja. Qeveritë e vendeve europiane duhet të krijojnë stimuj për qytetarët që të kenë më shumë fëmijë, sepse këtu është në lojë civilizimi dhe kultura jonë. Problemin e vjetërimit të popullsisë apo edhe atë të ngadalësimit të ekonomisë, nuk kanë për ta zgjidhur emigrantët”, tha Orban.

Krizën migratore të këtij viti Orban e ka përshkruar më herët si një komplot të qëllimshëm të së majtës që synon gërryerjen e identitetit europian. Lideri i partisë së djathtë Fidesz ka përdorur uljen e taksave, subvencionimin e strehimit dhe të tjera masa nxitëse për të inkurajuar familjet hungareze të bëjnë sa më shumë fëmijë. Që prej 1980-tës, popullsia e këtij vendi pëson çdo vit rënie dhe në 2011-tën, ra për herë të parë prej dekadash të tëra nën nivelin e 10 milionë banorëve.

Komentet e tij vijnë thuajse një javë pas një ndërhyrjeje edhe më fshikulluese, kur e akuzoi hapur miliarderin amerikan George Soros se ka tradhëtuar Europën duke mbështetur emigrantët në përpjekje për të ndryshuar karakterin e saj.

Top Channel