Çmimet e TIFF, fiton “Babai”

06/11/2015 00:00

Filmi “Babai” i regjisorit nga Kosova Visar Morina është fituesi i edicionit të 13 të TIFF. Në mungesë të regjisorit, çmimi i filmit më të mire u tërhoq nga produksioni dhe aktorët. Me tematikë emigracionin, në qendër të këtij filmi është një djalë 10-vjeçar në udhëtimin i tij nga Kosova për në Gjermani, për t’u bashkuar me të atin.

Një tjetër vlerësim për këtë prodhim është edhe çmimi special i jurisë. Çmimi i regjisorit më të mire shkoi për grekun Panos Koutras me filmin “Xenia” me motivacionin për trajtimin efikas të një sërë historish të veçanta, të cilat krijojnë një film homogjen, solid e me ekspertizë të lartë në të gjitha fushat e regjisë së filmit.

Koutras u vlerësua edhe për skenarin më të mirë, i cili kombinon çështje njerëzore dhe politike. Filmi më i mirë në shqip iu dha regjisores nga Kosova Norika Sefa me filmin “Cheers”.

Juria e medias vlerësoi filmin “Kennels” nga italianët Massimiliano D’agostino dhe Gaspare Russo. Edicioni i 13 i TIFF u zhvillua përgjatë nëntë ditëve në Tiranë. Ishin rreth 150 filmat e kategorive të ndryshme që u shfaqën gjatë festivalit.

Top Channel