Kryeministri Edi Rama priti pasditen e së premtes në një takim ministrin e Brendshëm të Gjermanisë, Thomas De Maiziere.

Burime nga Kryeministria bëjnë me dije se Rama dhe De Maiziere vlerësuan bashkëpunimin në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Nga ana tjetër, vijojnë burimet, Rama shprehu edhe angazhimin e qeverisë shqiptare për trajtimin e problemit të emigrantëve.

Para këtij takimi, Thomas De Maiziere u prit nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Në deklaratën e përbashkët për shtyp, ministri Tahiri ka bërë të ditur se me De Maiziere ka biseduar për 3 çështje kyçe: krimin e organizuar, emigracionin dhe azilkërkuesit.

“Policia gjermane do të sjellë ekspertizë që ne të arrijmë më shumë rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se bashkëpunimi i deritanishëm mes palëve në këtë drejtim ka dhënë rezultat.

“Folëm edhe për emigrantët, çështje për të cilën lind nevoja për bashkëpunim mes rajonit dhe BE-së. Është nevoja për të zgjidhur një problem evropian në nivel evropian”, ka thënë Tahiri.

Sa i takon problemit të azilkërkuesve, ministri i Brendshëm shqiptar ka nënvizuar se masat e marra nga autoritetet shqiptare dhe gjithashtu ato gjermane kanë dhënë efekt.

“Azilkërkuesit janë një çështje që kërkon zgjidhje imediate dhe e informova homologun me masat e marra nga autoritetet shqiptare, që së bashku me ato gjermane kanë dhënë efekt duke ulur numrin e atyre që shkojnë për azil në Gjermani”, ka thënë Tahiri.

Në të njëjtat linja ministri De Maiziere ka konfirmuar se, “Gjermania pas disa javësh do dërgojë në Tiranë një ekspert për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

“Me kënaqësi do japim mbështetjen tonë në këtë drejtim. Krimi dhe korrupsioni janë tumore të shoqërisë, ndaj është detyra jonë t’i luftojmë”, ka thënë De Maiziere.

Sipas tij, azilkërkuesit shqiptarë janë rreth 50 mijë, 4 mijë prej të cilëve të regjistruar vetëm në tetor. De Maiziere ka nënvizuar se, nga masat e fundit të ndërmarra shifra ka ardhur në rënie, por mbetet ende punë për t’u bërë.

Top Channel