Rusia pezullon fluturimet në Egjipt; këshilla nga kreu i FSB-së

06/11/2015 00:00

Presidenti rus, Vladimir Putin urdhëroi pezullimin e të gjitha fluturimeve për pasagjerë nga Rusia drejt Egjiptit gjatë kësaj të premteje, derisa të përcaktohet shkaku i rrëzimit vdekjeprurës të avionit rus gjatë fundjavës së kaluar.

Vendimi i kreut të Kremlinit ka ardhur si kundërpërgjigje e rrëzimit të “Airbusit A321”, me të cilin operonte një linjë ajrore ruse, gjatë së shtunës së kaluar mbi gadishullin Sinai të Egjiptit. Të 224 pasagjerët në bord mbetën të vdekur.

Lëvizja e fundit e Moskës, që vjen pas vendimeve të ngjashme të Britanisë dhe shteteve të tjera për të pezulluar fluturimet drejt dhe nga Sharm el-Sheikh, resortit egjiptian prej nga ku ishte nisur avioni rus i rrëzuar, mund të jetë i pari sinjal se Moska po i beson gjithnjë e më shumë teorisë se militantët islamikë kishin vendosur një bombë diku në avion.

Gjithsesi, Kremlini bën të ditur se vendimi i marrë nga Presidenti rus nuk nënkupton se rrëzimi është shkaktuar nga një sulm terrorist. Për këtë është ende herët të thuash se çfarë e shkaktoi atë incident ajror dhe se të gjitha teoritë, përfshi edhe mundësinë e një difekti teknik, duhet të ekzaminohen nga hetuesit zyrtarë. Edhe Egjipti ka bërë të ditur se është ende herët për të dalë në konkluzione se çfarë e rrëzoi në tokë avionin.

Putin mësohet të ketë vepruar pasi Alexander Bortnikov, kreu i shërbimit sekret rus FSB, rekomandoi që Rusia të pezullonte të gjitha fluturimet për pasagjerë drejt Egjiptit, derisa të mësohej saktësisht shkaku i incidentit ajror me 224 viktima.

“Kreu i shtetit është dakordësuar me këto rekomandime”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i Putinit, i cituar nga agjencia e lajmeve “Interfax”. Ai shtoi se qeveria duhet të gjejë një mënyrë për t’i kthyer rusët në atdhe, e për këtë duhet të nisë bisedimet me autoritetet egjiptiane për t’u garantuar atyre fluturime të sigurta.

Një degë e Shtetit Islamik me bazë në gadishullin e Sinait ka marrë përsipër përgjegjësinë për rrëzimin e avionit, gjë që, nëse do të konfirmohej, do të shënonte të parin sulm të organizatave xhihadiste ndaj aviacionit civil.

Britania, në fakt, ka bërë të ditur gjatë kësaj të premteje se, një bombë e vendosur nga xhihadistët mes valixheve të tyre mund të ketë shkaktuar rrëzimin e avionit. Veç Britanisë, edhe Irlanda, Gjermania dhe Holanda kanë pezulluar fluturimet drejt resortit turistik egjiptian.

Top Channel