Kosovë, opozita: Nuk tërhiqemi nga kërkesa për tërheqjen e nënshkrimeve

06/11/2015 00:00

Pas seancës së posaçme parlamentare, ku deputetëve të Kosovës iu drejtua me një fjalim komisioneri europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, opozita kosovare përsëriti qëndrimin se nuk do të lëshojë pè në qëndrimet e saj, për tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshjet për Asociacionin dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Ata përsëritën se nuk do të ndalen deri në tërheqjen e nënshkrimeve nga këto dy marrëveshje, ose deri në dorëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se, përmes pankartave i dërguan dy porosi komisionerit të BE-së, duke i bërë me dije se, opozita e Kosovës nuk do të ndalet deri në anulimin e këtyre dy marrëveshjeve.

Shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi tha se, protestat kundërshtuese ndaj shkeljes së Kushtetutës do të vazhdojnë. Ndërsa sipas kryetarit të “Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj, Kosova nuk e ka merituar të qëndrojë e izoluar, teksa po shpërblehen ata që kanë kryer genocid.

Veprimet e opozitës, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci i komentoi si të frymëzuara nga orientimet lindore. Ai tha se Kosova është e orientuar nga Perëndimi, me qëndrime proamerikane, ndërsa të gjitha të këqijat popullit kosovar i kanë ardhur gjithnjë nga Lindja.

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur dy seanca solemne, në të cilat deputetëve kosovarë u janë drejtuar Presidenti austriak dhe komisioneri Johannes Hahn, ndërkohë që është zhvilluar edhe seanca, ku u miratua projektligji për ratifikimin e MSA-së, në të cilën opozita mungoi pas largimit në salla.

Top Channel