Gjermani, kriminalizohet eutanazia; kush ndihmon rrezikon 3 vite burg

06/11/2015 00:00

Parlamenti gjerman “Bundestag” votoi këtë të premte për kriminalizimin e eutanazisë komerciale, pas refuzimit që i bëri një projektligji, që synonte ta bënte vdekjen e asistuar nga mjekët tërësisht ligjore në vend.

Ligji i ri kriminalizon organizatat që asistojnë pacientët, të cilët kërkojnë t’i japin fund jetëve të tyre në këmbim të pagesës; ndërkohë që e bën asistimin e një vdekjeje të ndëshkueshme deri me 3 vite burgim.

Por, kritikët thonë se ligji, i pari i detajuar mbi vdekjen e asistuar që është miratuar ndonjëherë nga Parlamenti gjerman, nuk e bën të qartë nëse vdekja e asistuar është tashmë një vepër kriminale në të gjitha rastet.

“Ndëshkimi i eutanazisë komerciale do t’i ekspozonte mjekët përballë rrezikut të hetimit ligjor”, tha Renate Kuenast, anëtar i “Partisë së Gjelbër” dhe nismëtar i një prej projektligjeve në favor të legalizimit të vdekjes së asistuar.

Eutanazia pasive, përfshi edhe mbajtjen në jetë artificiale përmes trajtimit mjekësor, është e pranueshme gjerësisht në Gjermani, ku janë ngritur edhe një numër shoqatash që ndihmojnë pacientët me sëmundje vdekjeprurëse me mjekime ndihmëse për t’i dhënë fund jetës. Këto shoqata janë klasifikuara si “Vereine” (ekipet), që janë klube të regjistruara dhe atyre u ngarkohet një tarifë anëtarësimi.

Shoqata më e madhe në Gjermani për vdekjen e asistuar, “Sterbehilfe Deutschland”, e cila organizon të tilla vdekje edhe në Zvicër, bëri të ditur se do të pezullonte të gjitha aktivitetet e saj deri sa të merrej një vendim pas apelimit në Gjykatën Kushtetuese të Gjermanisë të këtij votimi nga Parlamenti gjerman.

“Jemi të zhgënjyer, sepse presim që të përhapet paniku mes të gjithë atyre njerëzve dhe familjarëve të tyre, të cilët nuk kanë ndonjë rrugëzgjidhje tjetër në ndihmë të tyre”, tha Marie-Claire Stellmann, kryetare e degës së kësaj organizate në Gjermani.

Nga 3 projektligje të debatuar në Parlament, dy kërkonin dekriminalizimin total të vdekjeve të asistuara, duke ndjekur modelet e ngjashme në Holandë, Zvicër, Belgjikë dhe disa shtete të tjera perëndimore, përfshi edhe disa prej shteteve të Amerikës.

Top Channel