Hamilton synon rekordin e Schumacher me 91 GP të fituara

06/11/2015 00:00

Pas akuzave të pak ditëve më parë, përmes të cilave piloti britanik kampion bote në Formula 1, Lewis Hamilton hidhte hije dyshimi mbi “pastërtinë” e titujve të fituar nga Michael Schumacher, tashmë vjen edhe shpallja e objektivit të tij: të arrijë pikërisht rekordin e legjendës gjermane.

Hamilton, i cili është shpallur kampion i këtij sezoni ende pa u mbyllur ai, kërkon të arrijë e pse jo të thyejë rekordin e fitoreve në Formula 1 të mbajtur nga gjermani, me plot 91 të tilla.

Teksa ka dalë në një prej kopertinave të revistës së modës “Uomo Vogue”, ku tregon gjithçka prej moshës dyvjeçare, kur së bashku me të atin drejtonte një automjet elektrik në parqet e periferisë së Londrës, e deri në debutimin në pistë me makinat “kart” në moshën 7-vjeçare, kohë kur nisi të përballej edhe me aktet e para të diskriminimit racor.

“Kur babai im trokiste në dyert e kampistëve të konkurrentëve të tjerë – rrëfen Hamilton, – shpesh nuk i përgjigjeshin fare. Muhammad Ali, Martin Luther King dhe Nelson Mandela, përtej ngjyrës së lëkurës përfaqësojnë edhe vlerat e mia, ndaj dhe do të më pëlqente të isha sadopak si ata. Në shkollë ishim 3 apo 4 nxënës me ngjyrë mes 100 të bardhëve. Kam provuar mbi supet e mia ndjenjën e të bërit të gjërave, që jo vetëm ishin të pamundura, por edhe të paimagjinueshme”.

Sa i përket të ardhmes, piloti britanik rrëfen se “dëshiron t’u dedikohet fëmijëve me më pak fat, për t’u dhënë atyre mundësinë të realizojnë ëndrrat e tyre dhe projektet, si dhe për të bërë diçka për botën ku jetojmë, ashtu sikurse një gur i hedhur në ujë rrezaton energjinë e tij me rrathët që sa vijnë e zgjerohen edhe më shumë”.

E kur rikthehet të flasë për Formula 1, Hamilton nënvizon se “për projektimin e zbritjes në pistë të makinës së tij nevojiten 1300 persona. Detyra ime është të nxjerr më të mirën e asaj makine” dhe se “momentet më të gëzueshme janë provat për ‘pole position’, pasi brenda një xhiroje vendoset nëse do të jesh i fituar apo i humbur për garën e një dite më pas”. Pika e tij e referimit në botën e garave të automobilizmit ka qenë gjithnjë Ayrton Senna, por tashmë synon të arrijë rekordin absolut të fitoreve.

“Rekordi që vlen më shumë është ai i fitoreve të më shumë çmimeve të mëdha, që aktualisht mbahet nga Schumacher me 91 triumfe, e që dua ta arrij e ta tejkaloj”. Deri më tani, anglezi është në kuotën e 43 fitoreve, pra më pak se gjysma e atyre të legjendës gjermane të Formula 1, ndaj dhe nuk pritet ta ketë të lehtë.

Top Channel