Fetarët, më kopracë sesa të tjerët

06/11/2015 00:00

Fëmijët që vijnë nga familje besimtare (apo praktikante të fesë) janë më pak të sjellshëm dhe me prirje më ndëshkuese, sesa ata që vijnë nga familje jobesimtare, të paktën sipas një studimi të fundit.

Akademikë nga 7 universitete anembanë botës kanë studiuar fëmijët e krishterë, ata myslimanë dhe ata që nuk praktikojnë asnjë besim fetar, për të testuar marrëdhënien mes besimit dhe moralitetit. E rrjedhimisht, ata zbuluan se besimi fetar është një influencë negative për altruizmin e fëmijës.

“Përgjithësisht, gjetjet tona janë kontradiktore me supozimin në rang të gjerë popullor se, fëmijët nga familjarë besimtarë janë më altruistë dhe më të sjellshëm krahasuar me të tjerët”, thanë autorët e “Lidhjes negative mes altruizmit të fëmijëve fetarë dhe atyre jobesimtarë anembanë botës”, publikuar këtë javë në “Current Biology”.

“Në përgjithësi, gjetjet vënë në dyshim faktin nëse besimi është jetik për zhvillimin moral, duke mbështetur idenë se sekularizimi i diskursit moral nuk do ta reduktojë mirësinë humane; përkundrazi, do të bëjë të kundërtën”.

Mbi 1.200 fëmijë të grupmoshave nga 5 deri në 12 vjeç, nga Amerika, Kanadaja, Kina, Jordania, Turqia dhe Afrika e Jugut, kanë marrë pjesë në këtë studim. Rreth 24% e tyre ishin të krishterë, 43% myslimanë dhe 27,6% jobesimtarë. Ndërkohë, numrat e fëmijëve hebre, budistë, hindu dhe atyre që mohojnë ekzistencën e Zotit kanë qenë tepër të ulëta për t’u marrë në konsideratë statistikore.

Top Channel