Refugjatët, Frontex në kufirin greko-shqiptar

06/11/2015 19:40

Në mesin e diskutimeve lidhur me refugjatët dhe pas minisamitit të mbajtur në Bruksel, një rol të rëndësishëm për menaxhimin e krizës, e ka Frontex, Agjencia Europiane e Kontrollit të Kufijve.

Në një intervistë për Top Channel, Drejtori Ekzekutiv i Frontex, Fabrice Leggeri shprehet se asnjëherë nuk është folur që Shqipëria të jetë një vend pritës apo tranzit i refugjatëve dhe pikërisht për të parandaluar këtë gjë, Frontex, do të vendoset në kufirin greko-shqiptar dhe Maqedoninë.

Intervista e plotë

TCH: Një nga konkluzionet e mini-samitit të mbajtur pak ditë më parë në Bruksel ishte ai i dërgimit të ekipeve të Frontex në kufirin mes Greqisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Çfarë nënkupton kjo në terma më të thjeshta dhe si do funksionojë?

Fabrice Leggeri, drejtor Ekzekutiv i Frontex: Siç ju e dini, Frontex është prezent në Greqi në kufijtë detar. Kemi nisur një operacion shumë të madh të quajtur “Poseidon”. Kemi dërguar më shumë se 250 roje kufiri në ishujt e Greqisë, kemi dhe disa anije patrullimi në ishujt e Egjeut, mes Greqisë dhe Turqisë. Tashmë sfida në Greqi është regjistrimi i emigrantëve dhe marrja e shenjave të gishtërinjve të tyre. Një nga pikat e samitit të mbajtur në Brukesl dy javë më parë ishte që Frontex të rrisë operacionin “Poseidon” në kufijtë detarë të Greqisë, por dhe që Frontex do të mbështesë Greqinë në menaxhimin e kufijve të jashtëm me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Shqipërinë. Kjo do të thotë që Frontex do të dërgojë më shumë roje kufiri në pjesën perëndimore dhe veriore të Greqisë, në kufijtë tokësorë, me qëllimin që të mbështesë këtë vend në marrjen e shenjave të gishtave dhe regjistrimin e emigrantëve, të cilët në fakt duhet të regjistrohen në ishujt grek, por që ndonjëherë ata refuzojnë dhe nuk duan të regjistrohen. Synimi ynë kryesor është që t’i regjistrojmë ata në Greqi në mënyrë që të shkurtojmë kohën e asaj që quhet “mekanizmi i shpërndarjes”, sepse pati një marrëveshje të BE-së pak javë më parë, sipas të cilës azilkërkuesit do të lëvizin nga Greqia në vende të tjera të Bashkimit Europian. Problemi që kemi tani është që shumë emigrantë preferojnë të kalojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk duan të shpërndahen në bazë të planit të BE-së. Ky është problemi kryesor që kemi tani. Në mënyrë që ta bëjmë këtë mekanizëm funksional dhe në mënyrë që të kemi sa më pak presion në vendet e Ballkanit Perëndimor, me këtë dua të them më pak presion në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe për të shmangur presionin mbi Shqipërinë, është vendosur nga ana e BE-së që Frontex do të kryej operacione në anën greke të kufirit me Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Shqipërinë.

TCH: Ekipet janë në kufijtë në këtë moment?

Fabrice Leggeri: Në këtë moment, i kam bërë një propozim zyrtar me një plan operacioni autoriteteve greke. Bëra një propozim për të zmadhuar operacionin në ishujt grekë si dhe propozova vendosjen e rojeve të kufirit në zonën mes Shqipërisë dhe Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Tani, autoritetet greke janë duke parë me kujdes propozimin dhe unë shpresoj që të jemi të gatshëm ta finalizojmë së shpejti në mënyrë që të veprojmë në këtë fushë të re.

TCH: Deri më tani Shqipëria nuk është prekur nga vala e emigrantëve, a mendoni se ka mundësi që me ardhjen e dimrit, rruga e emigrantëve sirian të zhvendoset përmes Shqipërisë? A keni ju informacion për këtë gjë?

Fabrice Leggeri: Është e vërtetë të themi që Shqipëria deri më tani nuk është prekur nga vala e refugjatëve. Unë mendoj se nëse ne nisim operacionin në kufirin grek me atë të Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë edhe në kufirin me Shqipërinë, sepse mund të krijohen probleme edhe në Shqipëri. Nëse emigrantët do të dinë që ata do të regjistrohen në dalje të Greqisë, natyrisht arrihet në përfundimin që ata do gjejnë një rrugë tjetër nëpërmjet Shqipërisë. Ne duam ta shmangim këtë dhe kjo është arsyeja se pse Frontex gjithashtu do të dërgojë roje në kufirin me Shqipërinë, por në tokën greke.

TCH: Nga informacionet tuaja, a ka ndonjë kërkesë zyrtare nga Brukseli që Shqipëria të strehojë refugjatë apo është vetofruar Shqipëria për të strehuar refugjatë?

Fabrice Leggeri: Në dijeninë time jo. Ne nuk kemi diskutuar asnjë çështje të tillë. Ne kemi diskutuar si t’i mbajmë emigrantët në BE; si të mbështesim vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë që të ketë sa më pak presion mbi ta, por unë nuk kam marrë pjesë në mbledhje, ku kjo çështje të jetë përmendur. Në dijeninë time askush nuk pret që Shqipëria të strehojë refugjatë.

TCH: A i ka kapacitetet Shqipëria për të qenë vend pritës?

Fabrice Leggeri: Në dijeninë time, Bashkimi Europian nuk ka parashikuar hapjen e asnjë kampi për strehimin e refugjatëve në Shqipëri. Strategjia jonë, strategjia e BE-së është që të mbajë emigrantët në Greqi dhe të shpërndajë refugjatët prej andej në vende të tjera anëtare të Bashkimit Europian. Ne duam të shmangim kalimin e emigrantëve në vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse ne jemi të shqetësuar se kjo mund të jetë një barrë për vendet e këtij rajoni dhe nuk është në përputhje me vendimet e unionit për shpërndarjen e emigrantëve nga Greqia në vendet e tjera të BE-së.

TCH: Çfarë duhet të bëjë më shumë BE dhe Ballkani përballë kësaj krize refugjatësh?
 
Fabrice Leggeri:
Në këtë moment ne po përgatisim shkëmbimin e informacionit. Frontex ka struktura për bashkëpunimin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Frontex ka nënshkruar tashmë një marrëveshje pune me Shqipërinë. Gjithashtu ne kemi instaluar një rrjet, që quhet “Analiza e Riskut në Ballkanin Perëndimor” dhe tani ne po vëzhgojmë fluksin e informacioneve si dhe po ngrijmë një sistem raportimi në mënyrë që në kohë reale ne të aksesojmë se sa emigrantë po kalojnë kufijtë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo për shkakun se vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe vende anëtare të BE-së, si Hungaria, Kroacia, Sllovenia, Austria dhe Gjermania, nuk munden të parashikojnë se sa emigrantë janë në rrugë për në këto shtete duke kaluar nëpërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo gjë shkakton një lloj krize humanitare, sepse për një vend është shumë e rëndësishme që të dijë sot apo nesër, se si mund të përballet me situatën kur kane 10 apo 15 mijë emigrantë që i mbërrijnë në kufi. Kjo është shumë e rëndësishme për shtetet. Ata duhet ta kenë këtë informacion. Për këtë arsyeje ne tani kemi ngritur këto kanale raportimi që i ofrohen vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Bashkimit Europian. Kjo është një gjë. Në terma afatgjatë, unë gjithashtu dua të përmend projektet, në kontekstin e përpara anëtarësimit në BE. Është EU Francë dhe IPA 2 që janë projekte për të përgatitur vendet kandidate në zhvillimin e infrastrukturës apo në zhvillimin e institucioneve dhe Frontex do të jetë e angazhuar në projekte që lidhen me menaxhimin e kufijve. Në muajt e ardhshëm, ndoshta në 2016, me shumë mundësi do të kemi një projekt të Frontex-it që mbulon vendet e Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu edhe Shqipërinë. Kjo është mënyra se si Frontex do të jetë e aftë që të kontribuojë në përgatitje më të mirë për Shqipërinë dhe fqinjët e saj që të përballen me këto situata në të ardhmen.

TCH: A është zgjidhje mbyllja e kufijve, si rasti i Hungarisë?

Fabrice Leggeri: Kufijtë e Europës asnjë herë nuk janë mbyllur. Ka pika kalimi në kufijtë që janë rrugë legale për të hyrë në BE dhe këto rrugë janë të hapura.

TCH: Por, Hungaria dhe kryeministri Orban ndërtoi një mur dhe kjo gjë nuk mund të harrohet…

Fabrice Leggeri: Po është e vërtetë, por sërish ka pika kalimi zyrtare të kufirit. Pra, ka dyer në këto mure dhe këto dyer janë mundësia e kalimit legal të kufirit. Por, objektivi i Frontex është që të mbështesë vendet anëtare të BE-së që të menaxhojnë kufijtë, të menaxhojnë valën e refugjatëve, të kontrollojnë më mirë emigrantët. Kjo është dhe arsyeja se pse ne kemi zgjeruar operacionin tonë në kufijtë detarë mes Greqisë dhe Turqisë. Ne gjithashtu duam të ndihmojmë pa dyshim edhe fqinjët tanë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Frontex deri më tani e ka të ndaluar të shtrijë operacionet e saj në vende jo anëtare të BE-së, pra nuk është në mandatin tonë zyrtar. Ndoshta në të ardhmen mandati mund të rishihet, por për të do duhet një rregullim i BE-së dhe nuk është një gjë afatshkurtër, por ndoshta në të ardhmen Frontex do jetë e autorizuar të shtrijë operacionet e saj edhe në vende jo anëtare të Unionit. Gjithsesi, dëshira jonë është të mbështesim fqinjët tanë, të bashkëpunojmë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe me Shqipërinë pa dyshim. Dhe kjo është dhe arsyeja se pse ne do vendosemi në kufirin grek, duke mbështetur autoritetet atje në mbikëqyrjen e daljeve të refugjatëve në drejtim të Shqipërisë dhe Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Ajo çka mund të bëjmë është të rrisim fluksin e informacioneve të mbledhura dhe t’i ndajmë me autoritetet shqiptare, në mënyrë që ju të jeni të përgatitur për t’u përballur me situata emergjente. Por, siç e thash, strategjia jonë është të shmangim që ju të keni një situatë emergjente.

Top Channel