De Biasi: Të përqendruar te Europiani, por duam edhe Botërorin

06/11/2015 00:00

Në prezantimin e librit të autorit Alaistair Campbell, “Fitimtarët”, këtë të enjte në Kryeministri, ishin të pranishëm edhe trajneri i kombëtares sonë te futbollit, Gianni De Biasi, si dhe ish-trajneri i njohur italian Arrigo Sacchi.

Kryeministri Rama i kërkoi italianit De Biasi të zgjidhte mes një kontrate të majme dhe mungesës në Francë dhe një kontrate të mirë, por të thjeshtë si ajo që mund të ofrojë FSHF.

Përgjigja e De Biasit ishte po aq me humor dhe diplomatike sa ajo e Ramës, teksa trajneri kuqezi deklaroi: “Mos më thuaj që këtë pyetje e menduat bashkë me presidentin Duka, që është gjithashtu i pranishëm në sallë! Përtej shakasë, me Shqipërinë ne arritëm një rezultat të jashtëzakonshëm. Kur arrin majën është e vështirë të përmirësohesh, pasi tani që u kualifikuam në Europian ne dëshirojmë që dhe të shkojmë në Botëror, por duhet të shohim. Personalisht unë jam i kënaqur nga ky vend që më ka dhënë shumë dhe që sot jam i gatshëm që mund të fillojmë të flasim për këtë çështje me Federatën, por ajo që ka rëndësi për momentin është përfaqësimi në Francë”.

Trajneri De Biasi gjithashtu deklaroi gjatë këtij prezantimi se kualifikimi i Shqipërisë në Europian ka sjellë dhe diçka pozitive për të rinjtë, që tashmë do të kenë idhujt e tyre shqiptarë si Berisha e Cana e jo më vetëm Messin e Ronaldon.

Në këtë eveniment De Biasi ishte i shoqëruar dhe nga Arrigo Sacchi që këtë të shtunë do të ketë dhe një takim me të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare të Shqipërisë.

Top Channel