F1, Red Bulli do të ndërrojë motor për garën e Brazilit

07/11/2015 11:55

Red Bulli do të zbresë në pistën e Interlagosit me motor të ri, lajm ky që është konfirmuar nga kompania franceze Renault. Ideja fillestare ishte që ky motor të përdorej që në Çmimin e Madh të Austin, në Teksas, por pas një takimi me drejtuesit e Red Bullit u vendos që të mos ndërmerrej një veprim i tillë.

Sipas stafit të skuadrës austriake, Red Bulli ishte kompetitive në pistën amerikane dhe nuk ia vlente që pilotët e saj të penalizoheshin me 10 vende. Motori i ri nuk u përdor as në pistën e Meksikës, kjo për shkak të pozicionit të pistës që ishte mbi 2000 metra mbi nivelin e detit.

Kështu që Red Bull dhe Renault vendosën të ndërmerrnin një hap të tillë për Çmimin e Madh të Brazilit. Ajo që nuk dihet në këtë pikë është nëse motorin e ri do ta përdorin të dy pilotët e Red Bullit apo vetëm njëri prej tyre.

Vendimi përfundimtar për këtë çështje do të merret vetëm pasi të jetë kryer analiza e plotë në lidhje me motorët aktualë të Red Bullit.

Top Channel