Himarë, sekuestro mbi 29 hektarë tokë në bregdet

07/11/2015 13:30

Me kërkesë të Prokurorisë së Vlorës, gjykata vendosi sekuestro preventive mbi 29 hektarë tokë në Himarë, e regjistruar si tokë kullote, ndërkohë që realisht ajo është bregdet.

Sipas dyshimeve të prokurorisë, toka është regjistruar me dokumente të falsifikuara në emër të shtetasit Jani Qirici. Në fakt, për këtë çështje, më herët ministri i Drejtësisë ka kërkuar të merret masë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ndaj gjyqtarit të Gjykatës Administrative Astrit Sheme, i cili ka urdhëruar ZRPP Vlorë pa asnjë dokument që të regjistrojë pronën në emër të shtetasit Qirici.

Prokuroria e Vlorës i nisi hetimet në muajin shkurt për dyshimet se ishte shpërdoruar detyra, pasi ZRPP Vlorë kishte regjistruar si pasuri të paluajtshme të llojit kullotë mbi 29 hektarë tokë. Por, nga administrimi i dosjes rezulton se shtetasi Qirici me dy dokumente të falsifikuara ka paraqitur vërtetim fakti për sipërfaqen e mësipërme, ndërkohë që në arkivën e Bashkisë Himarë nuk ekziston asnjë dokument që të vërtetojë përmbajtjen e këtyre dokymenteve, pasi ato nuk kanë as numër dhe as datë protokolli.

Pasuria e paluajtshme, sipas prokurorisë, ndodhet në vijën bregdetare  dhe një pjesë e saj shfrytëzohet për qëllime tregtare dhe sipas llogaritjeve paraprake ka vlerë mbi nëntë milionë euro.

Top Channel