Çështja çame, 4 dosje drejt organizmave ndërkombëtarë

07/11/2015 17:20

Genocidi ndaj popullatës çame në periudhën 1913-1945 dhe tri dosje të tjera do të përgatiten për t’u dërguar në organizmat ndërkombëtarë të drejtësisë, nga Haga deri në Strazburg.

Mbështetjen për këtë çështje sekretari i përgjithshëm i Këshillit Ndërkombëtar të Çamërisë, Lisen Bashkurti e ka kërkuar edhe në Prishtinë.

“Dosja e parë do të jetë për njohjen e genocidit të aplikuar mbi popullsinë çame, dosja e dytë ka të bëjë me provën ndërkombëtare për krimet kundër njerëzimit të aplikuar nga qeveritë greke nga viti 1913 deri në 1945, dosja e tretë ka të bëjë me të drejtën e ripatriotizimit të popullsive të shpërngulura me forcë dhe dosja e katërt ka të bëjë me rikthimin e pronave”, deklaroi Bashkurti.

Këto komente Bashkurti i bëri gjatë tryezës shkencore me temë “Balli Kombëtar, Çamëria dhe Trojet Etnike Shqiptare”, organizuar nga shoqata shqiptare Çamëria dhe Balli Kombëtar, me qëllim sensibilizimin për këtë çështje të pazgjidhur të popullit shqiptar.

Kryetari i Ballit Kombëtar të Kosovës, Selman Berisha tha se çështja e camëve për herë të parë po hyn edhe në Departamentin amerikan të Shetit.

“Balli Kombëtar i Kosovës është duke punuar për këtë çështje prej 5 vjetësh dhe për herë të parë ajo po hyn në Departamentin e Shtetit. Kemi mbështetjen e SHBA, por edhe të Perëndimit, përfshirë këtu gjermanët por edhe të tjerë”, tha Berisha.

Tryeza shkencore për çështjen çame do të organizohen në të gjitha trevat shqiptare, ndërsa më 28 nëntor do të protestohet në Bruksel.

Këshilli Ndërkombëtar i Çamërisë, i themeluar në Holandë, përveç shqiptarëve përbëhet edhe nga shtetas të huaj. Përveç se në trevat shqiptare, shoqata të tilla po krijohen edhe në Bruksel, Gjenevë, Luksemburg, Vjenë, SHBA dhe Strazburg.

Top Channel