Tragjedia në Sinai, Egjipti: Avioni rus shpërtheu në ajër

07/11/2015 21:05

Pas Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara, edhe qeveria e Egjiptit mbështet pistën e shpërthimit në ajër të avionit rus të nisur nga Sharm el Sheikh.

“Shpërndarja e copave të avionit rus në Sinai tregon se mjeti fluturues është shkatërruar kur ndodhej ende në ajër”, ka deklaruar një zyrtar.

Komisioni hetimor egjiptian ka analizuar kutitë e zeza të Airbusit 321 dhe ka bërë të ditur se, “për momentin nuk përjashton asnjë hipotezë”.

Por, sipas burimit, duke analizuar copat e gjetura të përhapura në sipërfaqen e tokës konfirmohet pista se mjeti ka shpërthyer në ajër.

Sipas autoriteteve egjiptiane, në kutitë e zeza është konstatuar një zhurmë në sekondin e fundit të regjistrimit zanor, që është ende në analizim e sipër.

“Copat e avionit ishin përhapur në një rreze prej 13 kilometrash. regjistrimi i kutive të zeza është ndërprerë 23 minuta pas ngritjes në ajër, kur avioni ndodhej rreth 30 mijë këmbë lartësi”, ka deklaruar zëdhënësi i komisionit.

Ai ka saktësuar se, hetimi është ende në fazën e mbledhjes së të dhënave dhe informacioneve, ndërsa ka shtuar se mbetjet e avionit mbahen në një vend të sigurt në Kajro, në pritje për t’u ekzaminuar nga ekspertët.

“Në ditët e ardhshme do të bëhen të tjera mbikëqyrje të vendit të ngjarjes”, ka vijuar ai.

Të parat që shtruan hipotezën e shpërthimit në ajër të avionit rus fundjavën e kaluar ishin qeveria britanike dhe më pas ajo amerikane, që i referoheshin përgjimeve të kontakteve online mes militantëve islamikë që veprojnë në zonën e Sinait. Por Moska zyrtare i ka cilësuar ato si spekulime.

Top Channel