Avdijaj, tjetër gol në Zvicër; Vaduzi barazon me Zyrihun

08/11/2015 00:00

Ka kaluar me radhë kombëtaret e moshave të Zvicrës, por Albion Avdijaj, në zgjedhjen që vlen ka preferuar të mbrojë ngjyrat e kombit të tij, duke zgjedhur ato kuqezi.

Talenti i kombëtares shqiptare, Albion Avdijaj është bërë sërish protagonist këtë fundjavë në kampionatin helvet, duke dhënë shpresë se e ardhmja e përfaqësueses së parë është e garantuar.

Avdijaj ka shënuar gol në takimin e së shtunës, ku skuadra e tij Vaduz barazoi 1-1 kundër Zyrihut. Skuadra e mesfushorit të lindur në Zvicër ishte duke humbur, por në minutën e 70, ai që barazoi gjithçka ishte shqiptari i kombëtares U21.

Megjithatë, sulmuesi i talentuar shqiptar, në minutat e fundit të takimit e penalizoi ekipin e tij, pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u detyrua të largohej nga fusha.

Avdijaj po kalon një formë të mirë në kampionatin zviceran, pasi ky ishte goli i dytë në dy javët e fundit. Ai është formuar si futbollist tek ekipi i Grasshoppers dhe më pas kaloi tek ekipi i dytë i Wolfsburgut, e tani te Vaduzi.

Top Channel