Milani ndalet nga Atalanta, Mihajloviç: Do kapim Championsin

08/11/2015 00:00

Milani vazhdon të humbasë pikë ndaj skuadrave të vogla, siç ndodhi edhe këtë fundjavë kundër Atalantës, por trajneri Sinisa Mihajloviç mbetet ende optimist, se kuqezinjtë do të arrijnë të kualifikohen në Champions League.

Një vend në turneun elitar të futbollit europian sjell parà dhe prestigj, dy gjëra që skuadrës së Milanos i kanë munguar së fundmi, por tekniku serb është i bindur se në muajin maj, ata do të jenë në pozicionin e duhur.

Milan ka bërë një përmirësim dramatik në Serie A pas nisjes së dobët, duke fituar 3 herë radhazi, por duke u ndalur ndaj fqinjëve nga Bergamo.

“Ne kemi ecur mirë javët e fundit dhe tani jemi në një pozicion më të volitshëm për objektivat tona. Në 11 ndeshjet e para të Serie A kemi marrë rezultate të merituara, si humbje, ashtu dhe suksese, por objektivi ynë është të paktën vendi i tretë”, tha Mihajloviç, i cili mori karton të kuq për goditjen e një shisheje uji.

“Ndaj Atalantës fituam një pikë dhe nuk kërkoj justifikime. Sidoqoftë ka aspekte pozitive, sepse nuk pësuam gol dhe kampionati është ende i gjatë”, tha trajneri serb.

Top Channel