PD, akuza Mimi Kodhelit: Abuzime me tenderat; reagon Ministria e Mbrojtjes

08/11/2015 12:25

Partia Demokratike deklaron se ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka ndryshuar kriteret e dy tenderave të kësaj ministrie, në favor të një firme të paracaktuar fituese. Liljana Elmazi, deputete e PD-së tha se dëmi i shkaktuar shtetit për rikonstruksionin e godinës së Ministrisë së Mbrojtjes është 140 mijë dollarë.

“Pasi zgjodhi dyqanin e telefonëve në rrugën e Durrësit për të monitoruar hapësirën detare, të tjera afera kanë dalë në dritë. Mimi e nisi rikonstruksionin e godinës pa marrë leje dhe për më tepër kriteret ishin vendosur sipas firmës që ishte parackatuar si fituese, dhe firma fituese është një kompani pastrimi ku punonjësit e saj janë regjistruar si fshesarë”, tha znj. Elmazi.

Krahas këtij tenderi, PD denoncon dhe tenderin për për makinat e blinduara. “Del se ministria ka ndryshuar kriteret e tenderit duke i përshtatur me profilin e kompanisë ku janë blerë më pas makinat e blinduara. Të gjitha ndryshimet janë bërë brenda ditës me nxitim të pajustifikuar. Dëmi ekonomik në këtë rast është mbi 220 mijë euro dhe procedura është shkelur me të dyja këmbët”, tha Elmazi.

Por Ministria e Mbrojtjes tha se akuzat janë të pavërteta dhe se KLSH sipas zv/ministrit, Petro Koçi është në shërbim të Partisë Demokratike.

“Vlen të theksohet se oferta e përzgjedhur si fituese është 530 mijë euro më e ulët se oferta fillestare e dhënë nga kompania fituese. Përsërisim se në tenderin për blerje, furnizim, instalim për vënie në punë të sistemit të integruar të hapësirës detare, ndryshe nga sa pretendohet nga PD-ja, kompania e përzgjedhur është përfaqësuese zyrtare i kompanisë “GEM Elektronika” prodhuesi i radarëve ekzistues.  E njëjta kompani është marrë me mirëmbajtjen e pajisjeve gjatë periudhës 2010-2011. Ajo është certifikuar nga drejtoria e informacionit të klasifikuar që në vitin 2010, kohë në të cilën ofronte riparimin e radarëve pranë Forcave të Armatosura. Fatkeqësisht KLSH është kthyer në vegël e industrisë së shpifjeve nën drejtimin e zotit Bujar Leskaj, deputeti i PD-së, i cili me sa duket po i shërben me zell partisë së tij për t’u shfaqur më pas si kandidat për deputet në zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi Pertro Koçi.

Tenderi i riparimit të radarëve, u vendos në qendër të vëmendjes pas kallëzimit të datës 5 shtator, ndaj 12 zyrtarëve në Ministrinë e Mbrojtjes, por në qendër të kallëzimit të këtij tenderi nga KLSH-ja ishin parregullsitë në procedurat e prokurimit.

Sipas KLSH, është shkelur ligji për prokurimin publik, duke e përcaktuar tenderin të ‘klasifikuar’, ndërkohë që ligji parashikon që ai të jetë i hapur, thotë KLSH në kallëzim, duke shtuar se i njëjti tender në 2011 është bërë i hapur.

Top Channel