Ndotja në det, PD akuzon bashkinë; Dako: Vija është e pastër, situata nën kontroll

08/11/2015 00:00

I ndotur një ditë më parë nga nxjerrja në breg e hidrokarbureve dhe vajrave të djegura të derdhura nga një anije ende e paidentifikuar nga autoritetet, brezi ranor i plazhit të Durrësit po pastrohet.

Ndërmarrja komunale e plazhit dhe efektivat e Forcave të Armatosura janë angazhuar për të pastruar pjesën e dukshme të ndotjes.

“Aktualisht është duke u bërë pastrimi i kësaj zone të ndotur. Këto mbetje ne do t’i evadojmë në disa fuçi që kemi vendosur në anijen tonë”, u shpreh Ylber Dogjani, Komandant i Forcave Detare.

Pas inspektimit të tij, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako u shpreh se, e gjithë vija bregdetare është e pastër dhe ka siguruar se, pas monitorimit të bërë nga forcat ajrore ushtarake çdo gjë është nën kontroll.

“Vija bregdetare e plazhit të Durrësit është totalisht e pastër falë punës së shkëlqyer të Forcave tona të Armatosura, të cilët i falënderoj, por edhe të punonjësve të Ndërmarrjes sonë Komunale, të cilët prej mëngjesit e deri në mesditë kanë punuar intensivisht për pastrimin e vijës bregdetare. Ju jeni dëshmitarë okularë sot, që vija bregdetare e Durrësit është totalisht e pastër dhe pa ndotje. Sa i përket detit, janë Forcat e Armatosura që kanë kryer monitorimin dhe kanë vërejtur që situata është pozitive”, tha Vangjush Dako, kryebashkiak i Durrësit.

Ndërkohë që në emër të opozitës deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi tha se, prefektura dhe bashkia Durrës nuk kanë marrë asnjë masë.

“Është një inefiçencë skandaloze e strukturave shtetërore. Jo vetëm nuk bëri të mundur parandalimin, jo vetëm sot nuk kemi struktura të specializuara për të mbrojtur një qytet port dhe ku pritet të ndodhin gjëra të tilla, por kemi këtë situatë ku vetëm me 5 lopata përpiqen të përballen me një ndotjet ambientale më të rënda, që ndoshta mbahet mend jo vetëm në qytetin e Durrësit, por në të gjithë Shqipërinë”, tha Bylykbashi.

Inspektorët e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit në bashkëpunim me ata të Mjedisit kanë monitoruar situatën në det, si dhe kanë marrë mostra nga peshku i zënë nga peshkatarët në zonë për ekzaminim.

Burime zyrtare nga AKU në Durrës bëjnë të ditur se peshkimi afër bregut është i pezulluar me urdhër të ministrit Panariti, të paktën deri në përfundim të rezultatit të analizave. Ndërkohë që hetimet nuk kanë përcaktuar ende se ku ka ndodhur shkarkimi i hidrokarbureve, në ujërat tona detare apo ato ndërkombëtare dhe që rrymat detare i sollën në breg, nuk janë identifikuar as shkaktarët e kësaj ndotjeje, që sipas mjedisorëve do të shkaktojë pasoja të rënda në botën nënujore detare të kësaj zone të Adriatikut.

Top Channel