Veliaj në Kashar e Vaqarr: Konkurs ndërkombëtar për landfillin e Sharrës

08/11/2015 17:25

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vijuar prezantimin e projektbuxhetit për vitin 2016 për njësitë administrative të Kasharit dhe Vaqarrit.

Sipas tij, projektbuxheti i vitit të ardhshëm ndahet në dy pjesë: Njëra që trajton projektet madhore për bashkinë dhe pjesa tjetër trajton prioritetet e njësive administrative përkatëse. Në projektet e mëdha, Veliaj ka vendosur unazën e vogël të Tiranës dhe kthimin e sheshit “Skënderbej” në zonë pedonale.

“Pasi të ketë mbaruar unaza dhe trafiku të jetë lehtësuar, do të fillojnë punimet në sheshin “Skënderbej”, i cili do të jetë i gjithi një hapësirë pedonale”, tha Veliaj.

Ndërsa duke u ndalur te projektet që prekin Kasharin dhe Vaqarrin, kreu i bashkisë ka theksuar se projektet për liqenet e këtyre dy zonave dhe ai i landfillit të Sharrës janë kryesore për Bashkinë e Tiranës.

“Dy projektet, liqeni i Kasharit dhe ai i Vaqarrit, kanë një potencial të madh. Ne duam që landfilli i Sharrës të jetë një nga investimet më të mëdha të Bashkisë së Tiranës. BB është duke përmbyllur planin e fizibilitetit. Dhe të paktën me pjesën e landfillit të Sharrës ne do ta bëjmë këtë me ndërkombëtarët, pasi sa herë shqiptarët futen në mes dalin probleme”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Top Channel